Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka akuzuar Qeverinë Kurti lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit dhe zyrtarët tjerë publikë, duke e cilësuar si të aftë vetëm në prodhimin e krizave.
Stavileci, përmes një postimi në Facebook, thotë se në kohën më të keqe që po përjeton Kosova që nga paslufta, Qeveria po ua ngulfat shpresën qytetarëve.
“Qeveria e paaftë edhe për ta zgjidhur ndonjë problem e edhe për të dialoguar rreth atyre problemeve, ka keq shënuar edhe një rezultat tepër negativ financiar dhe buxhetor, i cili akoma më shumë do t’i thellojë krizat e qytetarëve të vendit tonë, duke ua ngulfatur edhe atë copë shprese se kjo Qeveri do të bëjë të paktën diçka më mirë në dobi të tyre”, shkruan ai.
Stavileci shprehet se tmerrit qeverisës e territ energjetik, mjerisht iu shtua edhe terri financiar.
“Të hyrat e tremujorit të dytë të këtij viti janë për afër 25 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkaq, shpenzimet e qeverisë për këtë tremujor janë për afër 75 milionë euro më shumë sesa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Pra, tmerrit qeverisës e territ ekonomik, energjetik, arsimor, shëndetësor e social, iu shtua edhe terri financiar e buxhetor. Mjerisht, kjo qeveri qenka e aftë vetëm për një gjë: të prodhojë e të thellojë kriza, qoftë nga ajo qoftë nga faktorët e jashtëm”, shkruan ai. /Telegrafi/