Site icon Telegrafi

Stavileci: Ligji i ka hapur portën Trepçës për zhvillim dhe investime

Me ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, “Trepçën” e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente, Stavileci i bëri në debatin e organizuar nga Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Forum 2015 me temën ‘Trepça – Çka pas ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet, që u mbajt sot në Prishtinë.

Kreu i MZHE-së tha me këtë rast se pas 17 vitesh çështja e “Trepçës” dhe “TC Kosova e Re” po marrin rrugë të mbarë, dhe merita këtu duhet ‘ti atribuohet të gjithë atyre që kanë punuar si një ekip, Kuvendi, Qeveria, AKP, ngase interesi publik ka prevaluar mbi çdo gjë tjetër.

Stavileci tha se ka pasur shumë vonesa dhe fatkeqësisht “Trepça” ka vuajtur, por fatmirësisht disi është menaxhuar. “Të gjithë e dimë se për shkak të këtyre vonesave ne kemi bërë një renditje që në fakt do të duhej të shkonin ndryshe, pra parafizibiliteti, fizibiliteti, strategjia, pastaj ligji ku ne kemi qenë të detyruar në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen e parë në mënyrë që ta shpëtojmë nga likuidimi”, tha ai.

Sipas Stavilecit, fokusi ka qenë te zgjidhja ekonomike, ndërsa është apostrofuar shumë edhe dimensionin ekologjik, duke i dhënë “Trepçën” trajtën e një korporate.

“Ne jemi treguar korporativ me të gjitha palët, nuk ka asnjë shkronjë të vetme brenda ligjit që ka karakter diskriminues ndaj dikujt, pra është shumë përfshirës, është me mundësi të mëdha të bashkëpunimit”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë aktiv për të dhënë informimin e duhur, përfshi qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të pa informuar.

“Ne duhet të kuptojmë tregtinë, financat dhe strategjinë e përpunimeve të metaleve. Është me rëndësi të përgatitemi deri në shkurt në mënyrë që me e pas ‘Trepçën’ në përpunim”, ka thënë Mustafa.

Profesori i ekonomisë në Universitetin “Staffordshire”, Iraj Hashi, tha se edhe pse “Trepça” e ka potencialin, nuk është një mundësi e investimit që nuk ka rreziqe, andaj investitorët e huaj duhet të inkurajohen dhe sigurohen që investimet të sigurta.

Forum 2015 synon të hap debatin qytetar për “Trepçën”, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cila do lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh. /Telegrafi/

Exit mobile version