Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka përparësi, por ka edhe disa rreziqe. Mirëpo nëse arrijmë të kemi zhvillime pozitive në tri orientimet; rritjen e prodhimit, ngritjen e eksporteve dhe mobilizimin e fuqisë punëtore, atëherë do të kemi shumë përfitime, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Këto komente Stavileci i bëri sot në Konferencën e Nivelit të Lartë për MSA-në mes të BE-së dhe Kosovës, ku u trajtua tema “Stimulimi i ekonomisë, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës”, ku morën pjesë, drejtuesit më të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, spektrit politik vendor, Komisioneri i BE-së për Politika Fqinjësore Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësues të institucioneve tjera ndërkombëtare e vendore.
Ministri Stavileci, duke folur për fushat që mbulon MZHE, tha se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur furnizim të rregullt me energji elektrike, dhe kësaj i kanë dhënë përgjigje në vizionin për energji, e që është kombinim i pesë projekteve.
“Njërin do ta kemi nga investimet e huaja direkte që është TC “Kosova e Re” me 500 MW, pastaj e “Kosova B” me 600 MW, për të cilin ka nisur studimi i fizibilitetit me Komisionin Evropian, “Kosova A”, për të cilin nga muajin tjetër do të lansohet një studim për t’i parë opsionet e mundshme të zgjatjes së jetës së tij, për ta përmbushur atë hendekun prej vitit 2016 deri në vitin 2022 apo 2023 kur parashohim të komisionohet “Kosova e Re”. Pastaj kemi 414 MW nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe zbatimin e masave të Efiçiencës së Energjisë”, tha ai.
Sipas tij, në listën e 13 projekteve që u prezantuan, një projekt është për mihjen që është shumë i rëndësishëm për funksionimin e kapaciteteve ekzistuese por edhe të kapaciteteve të reja të burimeve të energjisë; projektin e gazit –studimi i fizibilitetit, për të cilin është aplikuar së bashku me Shqipërinë në kornizën investuese të Ballkanit perëndimor. Ndërsa, në këtë kuadër hyn edhe projekti i ngrohjes, një projekt i ujit, projekti i Efiçiencës së Energjisë dhe shtatë projekte të tjera që janë mjedisore.
Kreu i MZHE-së shtroi nevojën e braktisjes së skemës konvencionale. Ai tha se duke mos nënvlerësuar sektorët tjerë, potenciali më i madh zhvillues janë në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë së informacionit. Në këto fusha mund të ndryshohen kahet në tri dimensione, rritja e prodhimit, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe aktivizim i i fuqisë punëtore.
Stavileci nënvizoi se në 5 vjetët e ardhshme me vetëm 5.7 milionë euro investime nga Buxheti i shtetit, në IT dhe EE mund të krijohen 22771 vende pune, andaj këtu duhet të jetë fokusi i orientimit edhe i institucioneve financiare ndërkombëtare. Në këtë linjë, ai tha se BB ka një projekt që synon rritjen e konkurrencës të sektorit privat dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ky është një lloj reflektimi për të ardhmen, jo vetëm për MSA-në, por edhe procesin e Berlinin që KE do të duhet ta mendonte Kosovën dhe shtete tjera jo vetëm përmes konektivitetit të transportit të energjisë, por edhe përmes krijimit të një platformave të butë të politikave ekonomike, siç është kjo në fushën e TI dhe Inovacionit, me të cilën do të mburrej edhe vet me pjesën e saj jug-lindore, dhe mos ta ketë barrë sociale dhe problemeve tjera si migrimi. Andaj në këtë drejtim në Kosovë mund ta kemi epiqendrën e këtyre zhvillimeve”, tha mes tjerash ministri Stavileci./Telegrafi/