Telegrafi

Stavileci: Brenda dy javësh dihen kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka deklaruar se ky subjekt politik po pret propozimet nga degët dhe brenda dy javësh do të bëjnë publik emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe asamblistët për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Stavileci, duke mos iu përgjigjur gazetarëve se a do të jetë ai kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga PDK-ja, ka thënë se PDK do t’i hyjë këtij procesi e mobilizuar.

“Kemi bërë një afat kohor të propozimeve të cilat do të vijnë nga degët. Besoj brenda dy javëve të ardhshme do të jetë e ditur se kush do të jenë këta emra. Jo vetëm në Prishtinë, por në cilëndo komunë e Kosovës, PDK do të hyjë e mobilizuar. Është e rëndësishme si edhe në të kaluarën ta ruajmë frymën e unitetit që e kemi pasur gjithmonë si subjekti më i fuqishëm në Kosovë që ka fituar shtatë parë zgjedhje. Për neve kjo do të jetë pikënisja dhe përsëri fitorja do të jetë stacioni terminal i rrugëtimit të PDK-së edhe në zgjedhjet lokale”, tha ai.

Sipas tij, te kandidatët për kryetar të komunave si dhe në listën e kandidatëve për asamblistëve do të ketë risi të shumta, si pjesë e PDK-së.

Përndryshe, dje anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së ritheksuan bindjen e tyre të plotë për fitore në zgjedhjet lokale, duke ofruar programin në pajtim me nevojat e qytetarëve, kandidatët më të mirë për Kuvende Komunale dhe kandidatët më përfaqësues të PDK-së dhe vizionit të saj për udhëheqjen komunale. /KP/Telegrafi/