Intervistoi: Dëfrim Puka
Si ndjeheni për ketë arritje të madhe të Sigal Prishtinës?
“Natyrisht që edhe unë sikurse krejt adhuruesit e sportit e veçanërisht të basketbollit dhe të Prishtinës ndiej kënaqësi unike dhe emocion të papërsëritshëm, sepse kjo është e arritura më e madhe e KB Sigal Prishtinës dhe e basketbollit kosovar në tërë historikun e ekzistencës së tyre. Megjithatë gëzimi jonë duhet të jetë i shkurtër, sepse përgatitjet serioze duhet t’i nisim menjëherë. Në këtë ligë garojnë ekipe shumë cilësore dhe ne duhet ta ngrisim nivelin organizativ dhe sportiv në shkallën më të lartë të mundshme”, tha Stavileci ekskluzivisht për Telegrafin.
A mendoni se Sigal Prishtina është e gatshme për Ligën Ballkanike dhe a do të mund ta përfaqësoje denjësisht basketbollin kosovar?
“Ne edhe sot konsiderojmë që kemi arritur një nivel solid të organizimit, i cili nuk ka ekzistuar kurrë më herët dhe të cilin e kanë parë dhe pohuar edhe nga afër drejtuesit e Ligës Ballkanike. Kjo është ajo që atyre iu intereson më së shumti”, theksoi ai.
A do të sillni përforcime të reja në klub?
“Normalisht që edhe pjesa sportive e ka peshën e vet meritore. Ne do t’i shfrytëzojmë maksimalisht resurset e klubit që kompetitivitetin sportiv ta ngrisim shumë në aspektin cilësor duke përforcuar skuadrën në të gjitha drejtimet. Tash edhe kemi lidhje të mira me ekspertë, trajnerë dhe agjentë të basketbollit, të cilët do të na ndihmojnë shumë në arritjen e qëllimeve tona menaxheriale dhe sportive, e mbi të gjitha në sjelljen e lojtarëve kualitativë. Prishtina tash edhe më shumë do të jetë epiqendër e zhvillimit të basketbollit dhe tërheqëse për të gjithë lojtarët shqiptarë. Besojmë shumë që investimet tona do të kthehen pozitivisht në favor të ngritjes së imazhit të klubit dhe të sportit edhe përtej kufijve shqiptarë”.
Kryetari i klubit nuk e la pa e përmend edhe forcën kryesore që e shtynë këtë klub përpara: “Në këtë rrugëtim besojmë shumë që bashkë me ne fjalën kryesore do ta kenë tifozët dhe adhuruesit e klubit tonë Plisat, sepse mendoj që atmosferat që ata do t’i krijojnë do të jenë shembull edhe për palestrat e tjera të ekipeve pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike”. /Telegrafi/