Site icon Telegrafi

Statuti i Trepçës i dërgohet Kuvendit, deputetët paraqesin vërejtjet për të

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, me shumicë të votave ka miratuar draft-statutin e Trepçës.

Megjithatë deputetët e këtij komisioni kanë pasur vërejtje për përmbajtjen e këtij dokumenti.

Ky draft-statut i është dërguar Kuvendit për votim, por deputetët kanë pasur vërejtje edhe sa i përket aseteve të përfshira në këtë statut.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, ka kërkuar përgjigje nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka se si është çështja e aseteve të Trepçës, ndërkohë që ka pyetur nëse fabrika e pajimeve është e përfshirë në këtë statut.

“Nëse një draft statut i tillë çfarë e keni sjell sot votohet dhe kalon për t’u votuar mandej në Parlament, unë dëshiroj që përjashtimi potencial i ndonjë aseti të Trepçës të jetë përgjegjësi e anëtarëve të Bordit të cilët e kanë sjell në Komisionin Parlamentar këtë draft statut. Pasi që ne nuk kemi asnjë lloj mjeti për të verifikuar nëse asetet e tilla kanë mbetur jashtë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, deputeti i VV-së Liburn Aliu, ka pyetur a ka kaluar ky statut në një zyre ligjore, ku ai përmendi se është një ligj që ka shumë probleme.

Aliu ka përmendur se njëri prej neneve të ligjit thotë se statuti hartohet në Bord, miratohet në Kuvend dhe në fund prapë miratohet në Këshillin e aksionarëve, e sipas tij këtu autoriteti i Kuvendit nuk është i fundit. Ai ka thënë se kur diçka vendos Kuvendi ajo bëhet e kryer, por sipas tij ky gabim është përvjedhur nga ngutia për ta kaluar atë ligj.

Deputeti Aliu ka përmendur disa nga gabimet që sipas tij janë në statut.

“Tash me nguti prapë, e patëm një mbledhje u ndërrua draft ligji, erdhi menjëherë, e kam frikën që kemi me përvjedhë gabime të tilla. Kuorumi duhet të jetë prezentë thotë në paragrafin 8 neni 17,  kjo nuk ka kuptim logjik dhe duhet të ndryshohet, tash kush e ndryshon këtë. Bëhet fjalë për aksionet dhe thotë cakton vlerën e aksioneve që duhet të ishte 1 euro, në anën tjetër përcakton lloje të ndryshme të aksioneve të cilat jo domosdoshmërisht se e kanë të gjitha vlerën 1 euro për shkak se ka aksione të ndryshme, nuk mund  ta kenë të gjitha ato vlerën nga 1 euro. Nuk mund t’ua caktosh vlerën aksioneve në statut. Probleme të tilla të cilat janë të natyrës profesionale të ekonomistëve dhe të natyrës profesionale të juristëve mendoj që është dashur të kalojnë nëpër një sitë të  profesionistëve që e marrin e korrigjojnë dhe mandej e kemi lehtë ne me e votua. Po kështu ne mund të votojmë dh e në fund na del një statut me probleme serioze edhe logjike edhe juridike dhe ekonomike”, tha ai.

Deputeti tjetër i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se në statut ka probleme të tilla që atyre mund t’iu vijë marre që e kanë votuar.

“Definimi i aseteve sidomos jashtë territorit të Kosovës, unë nuk e di pse kjo çështje nuk është ngritur kurrë në diskutimet e juaja. Ne kemi ndërmarrje në Kosovë të cilat e kanë pasur një statut specifik e sidomos kur jemi te Trepca e cila ka qenë një gjigant edhe konglomerat, atëherë kjo ka pasur edhe asete jashtë Kosovës, pse nuk është ngritur çështja e këtyre aseteve, të Trepçës jashtë Kosovës. një çështje tjetër, vetë vizioni për zhvillimin e Trepçës, këtu me këtë statut nuk kam parë kurrfarë strategjie të mishëruar, qysh e ndërton statutin e ki njëfarë koncepti ekonomik çka po donë me arrit. Ky statut nuk më jep kurrfarë indikacioni për një Trepçë të bashkuar, qysh funksionon Trepça sot e dimë, është një institucion i ndarë në dy pjesë në një farë mënyre. Trepça sikur në një lloj mënyre i ka dy borde de fakto jo de juro, dhe një pjesë e cila nuk jep fare llogari e cila e zhvillon një akti vitet krejtësisht ilegal në një pjesë të territorit të Kosovës. Nuk ka kurrgjë që na garanton prej vizionit të Qeverisë që ka me qenë një farë lloj më i sigurt i hapave në drejtim të funksionalizimit të Trepçës si një njësi  e vetme. Bile bile po tutna që mos është një far lloj uverture e ndarjes së Trepçës në pjesën e saj jugore dhe veriore”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë se statuti nuk është ideal, por është statut optimal. Ai ka thënë se nuk janë duke u ngutur, por sipas tashmë janë shumë vonë për votimin e këtij statuti.

Krasniqi ka thënë se problemet që janë përmendur nga deputetët janë më tepër probleme sintaksore.

“Nuk mendoj që po ngutemi, në fakt jemi vonuar. Jemi ngutur me miratua ligjin për Trepçën sepse kemi qenë të vonuar edhe atëherë dhe është e vërtetë që e kemi miratuar shumë shpejt në mandatin e kaluar për ta shpëtuar prej falimentimit potencial. Sot ka kaluar goxha një periudhë e gjatë që ne e kemi pas një draft statut, ka pasur mosmarrëveshje, mospajtime, qëndrimi i të gjithëve ka qenë që këto të sqarohen të ketë një dakordim në mënyrë që edhe punëtorët përmes përfaqësuesve të jenë të kënaqur dhe sot e kemi këtë. Ta zëmë, Glauku e përmendi një nen, unë besoj se problemi i atij neni është mënyra se si është shkruar, ka problem sintaksor, sepse nuk thotë aty se duhet sipas ligjit të Trepçës të ndahet dividenti, por aty i referohet ligjit të Trepçës për të treguar kompetencën që ia ka dhënë ligji bordit për të ndarë dividenti. Më shumë është forma sesa përmbajtja”, tha ai, raporton KosovaPr ess.

Përgjigje për të gjitha këto ka dhënë ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili fillimisht ka treguar se për ta bërë statutin janë krijuar dy grupe punuese, ku njëri grup ka trajtuar benifitet sociale të punëtorëve dhe një tjetër që ka trajtuar asetet e pa përfshira në statut.

Për benefitet sociale Lluka tha se janë pajtuar që të trajtohet veçmas, pra nuk e kanë vendin në statut dhe do të trajtohen në një ligj të veçantë. Kurse, për asetet pra kanë qenë disa rekomandime nga ky grup punues dhe kanë qenë edhe ekspertët e përfshirë.

“Fabrika e pajimeve kam deklaruar se fillimisht ka qenë jashtë, mirëpo me insistimin e Sindikatës është përfshirë në statutin, versioni final e parasheh fabrikën e pajimeve. E kam marrë si shembull për të treguar se ka pasur asete të caktuara jashtë dhe tash janë përfshirë dhe tash mbetet brenda. Statuti është dokument që mund të ndryshohet, pra edhe nesër nuk i dihet nëse ta zëmë plani zhvillimor parashikon që ka një pengesë në statut duhet të kalojë prapë në Parlament dhe me iu përshtattë zhvillimeve të Trepçës. Kështu që nuk është një dokument që ka me pas vështirësi ndryshimet e saj. Sa i përket pjesës së ndarjes së aksioneve dhe pjesëmarrjes tash është duke u punuar udhëzimi administrativ që parasheh ta rregulloj këtë çështje.Sa i përket vlerësimeve, do të bëhet një vlerësim i aseteve, duhet të bëhet një vlerësim sigurisht një kompani e jashtme angazhohet nga Trepça për të bërë vlerësimin e dhe të dividentës”, tha ai.

Sa i përket vizionit për zhvillim, ai tha se nuk është pjesë e statutit.

Kujtojmë se në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar Projekt-Statutin e Shoqërisë Aksionare “Trepça”, i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës. Versioni i ri i Projekt-statutit dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Statuti përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë. Emërtimi i shoqërisë aksionare është “TREPÇA” Sh.A dhe selia e saj është në Parkun Industrial të Mitrovicës./KP/Telegrafi/

Exit mobile version