Pas humbjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit, statuti i miratuar në dhjetor 2021 nga grupimi i shkëputur nga Partia Demokratike e detyron Sali Berishën që të votëbesohet në Këshillin Kombëtar, po duket se ky proces do të zgjasë në kohë.
Kjo sepse tashmë prioritet për grupimit të quajtur “Rithemelimi” është mbrojtja e votës. Në deklaratën e tij të së premtes, Berisha tha se do e zbatojë statutin pikë për pikë, por pasi të ketë përmbushur këtë detyrim, për të cilin thekson se nuk do jetë një proces i thjeshtë.
“Statuti do të zbatohet pikë për pikë, njëlloj sikur zgjedhjet ishin të lira. Do bëhet pasi të kemi përmbushur detyrimin tonë për mbrojtjen e votës. Mos ju duket ju si proces i thjesht”, tha Berisha.
Pika 9 e nenit 46 të statutit të statutit, të miratuar në Kuvendin Kombëtar të dhjetorit 2021 në stadiumin ‘Air Albania’, parashikon që kryetari i partisë, pas zgjedhjeve vendore, duhet të votëbesohet në Këshillin Kombëtar. Që kryetari i partisë, në rastin konkret Sali Berisha, të quhet i votëbesuar, duhet që të votojnë pro tij jo më pak se 70 për qind të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që marrin pjesë në votim. /Telegrafi/