Ditëve të fundit menjëherë pas fillimit të dialogut filluan të duken “opsionet miope” nga “optikat misterioze”, të “planeve të fshehta” që kur faktori ndërkombëtarë i cili kohë më parë kishte kushtëzuar modelin e multietnicitetit me “pakon magjike” për statusin final, i cili tani po detyrueshëm po implementohet si “realiteti faktik” e problematik në shumësinë e territorit të Republikës së Kosovës.
Planet e fundit të bëra publike për një “status special” për veriun mbeten orientimet më të pa kuptimta kur kihet parasysh shkalla e vetëqeverisjes që sipas kushtetutës ju ipet pakicave. Ky propozim i tanishëm me terma “gjeografik dhe politik” ndonëse i pazbatueshëm dhe tërësisht i gabueshëm mbi kurrizin e shumicës shqiptare të Kosovës mbi 90%, në tentim të realizimit të të drejtave të pakicës tjetër prej 10%, e në veçanti 5% e minoritit serb, të cilëve realisht ju mundësohet sovranitet special të Serbisë në territorin “enklavizues” të Kosovës dhe tani çështja e “veriut” po ashtu me status special brenda sovranitetit të pavarur të Kosovës, i cili thellësisht mbetet “plan misterioz”.
Ndërlikueshmëria në mes të Planit gjithëpërfshirës për statutin final deri te kushtetutshmëria dhe realitetet e reja për veriun e Mitrovicës
Defektet kishin lindur që nga e ashtuquajtura pako “magjike” e Ahtisarit në tërësinë e vet, e cila ngërthente efektet më negative të parimit të së drejtës së shumicës qytetare në raport me pakicën serbe dhe i konceptuar se do të gjente zbatueshmëri, jo më shumë se tri vjet pas pavarësisë, ky koncept akoma trajtohet sikur në fillimin e tij si i gabuar, ngase parimisht pa u realizuar të drejtat e shumicës dhe implementimin e plotë të tyre nuk mund të imagjinohet në vullnetin ekstrem të “ diskriminimit pozitiv” të drejtave për pakicat.
Duke i analizuar në vazhdimësi gabimet e faktorit ndërkombëtarë kanë nisur menjëherë pas përfundimit të luftës duke mos e cilësuar luftën si luftë, por konflikt të armatosur. Më pas kanë vazhduar edhe me gabime të tjera, ngase sikur faktori ndërkombëtarë menjëherë pas luftës të ndërpriste komunikimin me Serbinë pas dëbimit të forcave ushtarake serbe nga Kosova, sigurisht se tani nuk do ta çanin kokën. Ata ngelën nën ndjenjën e pritjes dhe papritmas e faktorizuan rolin e tyre, sikur të ishte e tërë Kosova “Serbi” dhe populli i saj “serb”, kështu kanë menduar dhe akoma po mendojnë duke ekzekutuar edhe skemat ekonomike në vlerë mbi 250 milionë eurosh çdo vit të cilët edhe pas tri vjet të pavarësimit të Kosovës po arrijnë ta implementojnë.
Ky koncept i “luftës asimetrike” në mes të Kosovës dhe Serbisë, thellësisht vë në dyshim parimet demokratike të kushtetutshmërisë për garantimin e sovranitetit dhe rregullimit të brendshëm të Kosovës. Kjo formë e ndërhyrjes bënë me dije akoma më shumë se cili është pozicioni aktual i Serbisë, sikurse Qeveria jonë urgjentisht të merr masat adekuate që qytetarët e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti trajtimi për veriun, nuk duhet lënë pa zot shtëpie e në pritje të të papriturave.
Faktorët politikë të involvuar në procesin e bisedimeve do të duhej që minoritetin problematik serb ta bindin që në fillimin e këtij “procesi detyrues” për shumicën se është një pakicë normale si edhe pakicat e tjera që kanë lindur dhe jetojnë në Kosovë dhe se konform parimeve demokratike do të veprohet edhe me ta, pra jo t’i favorizoj kaq shumë duke shpikur “koncepte të decentralizmit” tani të “statuseve speciale” në territore të caktuara që ngërthen tipare të karakterit të “sovranitetin e brendshëm” për veriun dhe përgjithësisht “parimi i multietnicitetit” i determinuar të ndodhë si formë të pajtimit dhe bashkëjetesës është i papranueshëm.
Qytetarëve të Kosovës si pasoj e këtyre koncepteve edhe nga e kaluara e hidhur në periudhën e “okupimit klasik” ishte e instaluar e njëjta logjikë e “zotërimit të shumicës” e cila rezultoi me luftën deri te gjenocidi dhe spastrimi etnik. Edhe përkundër të kaluarës asnjëherë nuk është menduar të zbatohet “diskriminimi kolektiv” ndaj pakicave edhe përkundër ekstremitetit të tij të ndodhur në kurriz të shqiptarëve sipas parimit të shpikur të “diskriminimit pozitiv”
Ky vullnet është dëshmuar në vazhdimësi nga Institucionet tona dhe faktorët politik shqiptarë duke prezantuar këtë vullnet në të gjitha dimensionet gjatë gjithë kohës me mekanizmat ndërkombëtarë, ndonëse ndoshta kjo gatishmëri është keqpërdorë dhe tani jemi këtu ku jemi, ku 12 vjet të lirisë dhe tri vite të pavarësisë nuk po mundemi ta ushtrojmë sovranitetin e plotë në Republikën e Kosovës. Sikur ky vullnet dhe gatishmëri e shumicës për ta siguruar pakicën në Kosovë është keqpërdorur në skajshmërinë politike, madje që në pakon e Ahtisarit kanë reflektuar tërësisht si propozime gabim të dizajnuara dhe joimplementuese, duke zhgënjyer mbi vullnetin e shumicës për ta rehabilituar ekskluzivisht minoritetin serb pakicë.
Së fundi, fillimi i një i bisedimeve pa një plan nacional dhe paraqitjet e planeve të ndarjes të shpallura nga qarqe të misioneve të huaja në Kosovë, konsiderohet si qarjet e para që në rifillimin e këtyre bisedimeve dhe duket se logjika e së kaluarës tani më e dizajnuar me koncepte të kolonializmit modern të dominimit të zonave të veçanta, tregon padyshim se faktori ndërkombëtarë në mes të gjithë këtij procesi ka dështuar plotësisht për të ruajtur arritjet substanciale në Kosovë. Këto këndvështrime përplotësojnë “egot serbe” që të realizojnë plane dhe projekte për minoritetin serb të cilëve realisht po tentohet të ju mundësohet sovranitet klasik edhe në veriun e Kosovës, përkundër pjesës tjetër të decentralizimit me disa lidhjeve speciale me Serbinë të garantuara me kushtetutën për të cilën duhet sa më parë të nisin ndryshimet kushtetuese mbi këtë çështje ndaj ekskluzivitetit të të drejtave të minoritetit serb. Çdo plan që tenton të devijojë sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës në çfarë do forme juridike e politike, qeveria jonë kategorikisht duhet kundërshtuar, edhe sikur menjëherë të ngriheshin këto bisedime.
(Autori është duke vijuar studimet pasdiplomike të magjistraturës në UEJL, në Shkencat Politike)