Site icon Telegrafi

Statujat pa drejtim!? (Foto)

Kur më 1928 serbët e vunë në Beograd monumentin “Fitimtari” (të cilit “shkencëtarët” tanë e bënë shqiptar me plis!), që i dedikohet 10-vjetorit të thyerjes së Frontit të Selanikut, atë e kthyen kah armiqtë – Austria.

“Fitimtari” në Beograd

Monumentin e Ban Jelaçiqit kroatët njëherë e kanë kthyer në veri, kah armiqtë e dikurshëm hungarezë, por më 1990 në jug kah Knini ku serbët shpallin autonominë e më vonë bashkimin me Serbinë.

Sheshi “Ban Jelaçiq” në Zagreb

Statuja e gjeneralit të Luftës Civile Amerikane, të forcave të Konfederatës, pra Jugut, u vendos në Richmond. James Ewell Brown “Jeb” Stuart është kthyer kah Veriu, që është dëshmi se ka vdekur në luftë. Drejt Veriut, pra armiqve, është kthyer edhe statuja e gjeneralit të tjetër të Konfederatës, Thomas “Stonewall” Jacksonit, e vendosur po ashtu në Richmond.

Statuja e gjeneralit J. E. B. Stuart

Ndërkaq, p.sh. monumentet e Adem Jasharit shqiptarët i kthyen njërin kah Shqipëria e tjetrin kah Lugina e Preshevës!?

Shtatorja e realizuar keq e Adem Jasharit në Malishevë

Në anën tjetër, statujat e heronjve në kuaj kanë këto rregulla: nëse kali ka një këmbë në ajër, heroi ka vdekur nga plagët e marra në betejë; nëse kali i ka dy këmbët në ajër, ai u vra në betejë; nëse krejt këmbët i ka në tokë, ka pasë vdekje natyrale.

“Skënderbeu” në Prishtinë

Kali i Skënderbeut e ka një këmbë në ajër, ndërsa Skënderbeu ka vdekur në shtrat nga ethet (tek vonë u përmend që ishin ethet e malaries).

Por, kah është i kthyer Skënderbeu? /Telegrafi/

Exit mobile version