Nëse Real Madrid është në krye të klasifikimit dhe në luftën për titullin kampion në La Liga, kjo ndodh edhe për meritë të Sergio Ramos.
Qendërmbrojtësi ka arritur në kuotën e shtatë golave në këtë sezon, i fundit ishte pikërisht ai ndaj Real Betisit në Santiago Bernabeu.
Sipas statistikave të publikuara nga AS, Ramos i ka dhënë nëntë pikë Realit në këtë sezon në Spanjë. Pa golat e tij, Los Blancos do të ishin në vendin e tretë në klasifikim, nëntë pikë larg Barcelonës dhe vetëm një pikë më shumë se Atletico Madrid.
Ramos e nisi sezonin që në ndeshjen me Sevillan për Superkupën e Evropës, duke shënuar golin që e çoi ndeshjen në kohë shtesë, ndërsa në kampionat, golin e parë e shënoi kundër Osasunës në javën e tretë dhe ishte i vetmi që nuk pati shumë rëndësi për Realin. pas kësaj sfide, 30 vjeçari ka rezultuar vendimtar për Realin duke i dhënë pikë të çmuara skuadrës së tij, transmeton TCh.
Ishte Ramos ai që shënoi golin e barazimit me Villarrealin në fazën e parë, shënoi golin e barazimit në Camp Nou ndaj Barcelonës dhe golin e fitores në kohën shtesë ndaj Deportivos.
Po kështu ai i dha fitoren Realit të Madridit ndaj Malagës.
I vetmi që e kalon Sergio Ramos për kontributin e tij në pikët e grumbulluara në kampionat nga Reali është Cristiano Ronaldo. Portugezi ka shënuar 19 gola duke i dhuruar skuadrës Merenges 10 pikë.