Site icon Telegrafi

Statistikat: Regjistrimi i studentëve kosovarë në Gjermani është rritur për 11 për qind

Numri i studentëve kosovarë të regjistruar në universitetet gjermane ka arritur në 3 mijë e 472 gjatë semestrit dimëror 2017/18, një rritje e konsiderueshme prej 11 për qind krahasuar me semestrin dimëror paraprak.

Gjermania është prej destinacioneve më të preferuara të studentëve kosovarë jashtë vendit. Një numër relativisht i lartë prej 3 mijë e 472 studentësh nga Kosova kanë qenë të regjistruar në universitetet gjermane gjatë semestrit dimëror 2017/18.

Krahasuar me një vit më parë kur universitetet gjermane raportuan për 3 mijë e 119 studentë nga Kosova.

Shprehur në përqindje i bie që numri i kosovarëve që janë duke ndjekur studimet në Gjermani është rritur për 11 për qind  sipas statistikave të siguruara nga Studying-in-Germany.org, një platformë online e informimit të studentëve ndërkombëtarë.

Tutje, statistikat tregojnë që pjesa më e madhe e këtyre studentëve kanë zgjedhur të studiojnë në “Hochschule”,  një emërtim i përbashkët për universitetet që ofrojnë programe studimore në lëmite teknike si inxhinieria dhe shkencat tjera të aplikuara.

Nga numri total i studentëve kosovarë gjatë semestrit dimëror 2017/18, 2 mijë e 313 prej tyre kanë qenë të regjistruar në universitetet teknike.

Në anën tjetër, universitetet tjera numëruan 1 mijë e 59 studentë kosovarë. Thënë ndryshe, 67 për qind e studentëve kosovarë janë duke ndjekur universitetet teknike, kundrejt 33 përqind të regjistruar në universitetet tjera gjermane.

Programet studimore në fushën e inxhinierisë dhe biznesit mbeten më të preferuarat për studentët kosovarë. Në semestrin për të cilin po flasim, 674 studentë kosovarë ishin duke studiuar në programet inxhinierike dhe 387 në drejtimet biznesore.

Statistikisht, dallimi në numrin e studentëve femra dhe meshkuj në Gjermani nga Kosova është shumë i ngushtë. Në semestrin dimëror 2017/18, universitetet gjermane numëruan 1,719 studente femra dhe 1,753 studentë meshkuj nga Kosova.

Numerikisht, raporti  femrave dhe meshkujve kosovarë në këto universitete është 1 mijë e 223 studentë meshkuj kundrejt 1 mijë e 90 studentëve femra. E, në anën tjetër, numri i studenteve femra tejkalon atë të meshkujve (530 studentë meshkuj kundrejt 629 studenteve femra).

Aktualisht Gjermania renditet në mesin e pesë vende vendeve më atraktive në botë për studentët ndërkombëtarë. Bazuar në statistikat e fundit zyrtare, mbi 378 mijë studentë të huaj janë duke ndjekur studimet universitare në Gjermani.

Mundësitë e shkëlqyeshme për zhvillim karriere dhe ngritje akademike, kostoja e përballueshme e studimeve dhe jetesës, reputacion global dhe programe moderne studimore janë vetëm disa prej arsyeve që i bëjnë universitetet gjermane kaq të dëshirueshme për studentët e talentuar nga Kosova. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version