Telegrafi

Starlinku apo 5G, cili e ka rrjetin më të shpejtë?

Një vloger, i njohur në platformën e YouTube si Ryan’s Model Y ka futur në test shpejtësinë e rrjetit 5G si dhe atë rrjetit Starlink.

Starlink është shërbim interneti satelitor në kuadër të kompanisë me mision hapësinor SpaceX në pronësi të miliarderit dhe sipërmarrësit Elon Musk, transmeton Telegrafi.

Në këtë rast, youtuberi mati shpejtësinë e internetit 5G dhe rrjetit satelitor të Starlinkut, nëpërmjet një video të cilën e publikoi në platformë.

Sipas tij, rrjeti 5G fitoi dukshëm këtë test duke e arritur shpejtësinë maksimale të internetit me 739.44 megabit për sekondë.

Por, nuk ishte keq edhe interneti i shërbimit satelitor Starlink i cili arriti këtë shpejtësi në 143 megabit për sekondë në transferimin e të dhënave në telefon.

Vlen të theksohet se shpejtësia e internetit mund të varet ndonjëherë edhe nga ambientet e caktuara.

Starlink, ka për mision që në të ardhmen të shtrijë internetin satelitor në të gjithë globin, e sidomos në zonat më të largëta ku qasja në internet është e pamundur.

Për momentin, kompania është duke lëshuar satelitët e tij në orbitën e ulët të Tokës, për ta bërë të mundur këtë; mijëra satelitë të Starlinkut gjenden për momentin në hapësirë. /Telegrafi/