Site icon Telegrafi

Starlink vazhdon të dominojë hapësirën – Musk ka lëshuar më shumë satelitë sesa të gjithë konkurrentët e tij së bashku

Rrjeti i komunikimit Starlink i Elon Musk po përballet me sfida gjithnjë e më të ashpra për dominimin e internetit satelitor me shpejtësi të lartë, përfshirë rivalët kinezë.

SpaceSail me bazë në Shangai në nëntor nënshkroi një marrëveshje për të hyrë në Brazil dhe njoftoi se ishte në bisedime me mbi 30 vende.

Dy muaj më vonë filloi punën në Kazakistan, sipas ambasadës së Kazakistanit në Pekin.

Më vete, Brasilia është në bisedime me shërbimin e internetit Project Kuiper të Jeff Bezos dhe Telesat të Kanadasë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Por, Starlink që nga viti 2020 ka lëshuar më shumë satelitë në orbitën e ulët të Tokës – një lartësi prej më pak se 2,000 kilometra – sesa të gjithë konkurrentët e tij së bashku.

Bëhet e ditur se satelitët që operojnë në lartësi kaq të ulëta transmetojnë të dhëna në mënyrë jashtëzakonisht efikase, duke ofruar internet me shpejtësi të lartë për komunitetet e largëta, anijet detare dhe ushtarakët në luftë.

Por, primati i Musk në hapësirë ​​shihet si një kërcënim nga Pekini.

Ndryshe, zgjerimi i shpejtë i Starlink dhe përdorimi i tij në luftën në Ukrainë ka tërhequr vëmendjen e studiuesve ushtarakë si ata në Universitetin Kombëtar të Teknologjisë së Mbrojtjes të Kinës, duke nxitur financime të konsiderueshme shtetërore për rrjetet satelitore rivale. /Telegrafi/

Exit mobile version