Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standart&Poor’s, projektoi se rritja e Produktit të Brendshëm Bruto në të gjithë botën mund të humbasë rreth 1 për qind nëse kërcënimet e tarifave marrin formën e një lufte tregtare.
Rritja e ekonomisë botërore në vitin 2017 shënoi 3.7 për qind dhe projektohet në 3.8 për qind këtë vit dhe 3.9 për qind në vitin 2019, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Kjo shifër është pranë rritjes së shpejtë prej 4 për qind që u arrit përpara krizës financiare dhe i është dashur botës 1 dekadë që të arrijë në këtë nivel.
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë secila projeksione optimiste për rritjen e ekonomisë globale, megjithatë kanë theksuar se lufta tregtare është një ndër rreziqet kryesore. Standard & Poor’s nuk është enti i vetëm që bën një parashikim të tillë.
Simulimet e Bankës Qendrore Europiane tregojnë gjithashtu se rritja e ekonomisë globale mund të tkurret me 1 për qind në vitin e parë pas vendosjes së tarifave dhe tregtia botërore e mallrave mund të tkurret me 3 për qind.
Tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë rritur që kur presidenti Donald Trump kërcënoi vendosjen e tarifave për 150 miliardë dollarë mallra kinezë, prej praktikave të padrejta të tregtisë që Pekini ka ndërmarrë. Kina ka bërë të ditur se do të kundërpërgjigjet duke rritur tarifat për 50 miliardë dollarë mallra amerikanë dhe të dy vendet janë në negociata që nuk kanë rezultuar efektive deri më tani. /Telegrafi/