“Standard & Poor’s” e ka ulur nivelin kreditor të Bashkimit Evropian më 30 qershor nga “AA+” në “AA” duke përmendur shqetësimet për unitetin e bllokut evropian pas referendumit në Britani si arsyetim për vendimin.
Investitorët ndërkombëtar i shfrytëzojnë raportimet e kësaj agjencie kreditore për të vlerësuar sigurinë e fondeve të tyre dhe mundësinë që investimet të kthehen në përfitime. Fondet pensionale dhe investitorë të tjerë e kanë zakon që të investojnë paratë e tyre në zona të sigurta të vlerësuara si të tilla nga S&P, sidomos në kohëra të pasigurisë, shkruan gazeta britanike, “The Guardian”.
Disa parti euroskeptike në tërë Evropën e kanë përshendetur votimin britanik për të dal nga BE-ja ndërsa kanë bërë thirrje që edhe në vendet e tyre, veçanërisht në Francë të mbahen referendume të njëjta.
Agjencia në fjalë thotë ta ketë rivlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së kredive në BE si pasojë e mungesës së unitetit brenda bllokut, ndërsa beson se BE mund të ketë fleksibilitet më të vogël buxhetor pas largimit të Britanisë.
Në vitin 2016, Gjermania, Franca dhe Britania respektivisht kanë kontribuar 21 %, 16 % dhe 13 % në buxhetin total të BE-së.
“Standard & Poor’s” ka thënë se parashikimet për BE-në janë stabile, duke lënë të kuptohet se nuk parasheh ndonjë vlerësim më të dobët për BE-në.
Agjencia tjetër e madhe kreditore, “Mood’s and Fitch” nuk ka njoftuar ndonjë ndryshim në vlerësimin e nivelit kreditor për BE-në. /Telegrafi/