Familjarët nga Norwich i Anglisë, kanë mbetur të dëshpëruar me formën se si një hotel në Xhamajka, përkujtoi të birin e tyre të ndjerë.
Alex Stephens që është ndarë nga jeta në moshën 21-vjeçare, ishte përkujtuar në mënyrën më bizare të mundshme, nga stafi i hotelit që ndodhet në Montego Bay, transmeton Telegrafi.
“Urime ditëlindjen, na mungon Alex”, shkruan mbi shtrat, ku ishte improvizuar trupi, që kishte fytyrën e krijuar prej peshqiri, ndërsa i rridhnin lot nga njëri sy.
Madje, në prehër i ishte vënë torta, teksa në dorën mbante një kanaçe birre.
E tëra filloi nga kumbara e Alex, që kërkoi një festim të thjeshtë, për atë që do ishte ditëlindja e tij, por stafi përfshiu edhe figurën e çuditshme, sikur të ishte portreti i tij.
“Kërkojmë falje për sjelljet e punonjësve tanë. Gjithçka doli prej kontrolli, kur menaxheri nuk i mbikëqyri punonjësit që sapo kanë hyrë në punë”, thuhet në raportin e hotelit.
Shpenzimet e familjarëve që mbetën të ofenduar me këtë gjest, janë shlyer dhe nuk detyrohen të paguajnë asgjë për pushimin. /Telegrafi/