Telegrafi

Stafa: 600 gra me kancer s’kanë marrë trajtim: Mungon prej kohësh brakiterapia

Gazetari Osman Stafa tha se për 2 vite rreth 600 paciente gra të prekura nga kanceri nuk kanë arritur të marrin shërbimin e duhur për shkak të mungesës së aparatit të Braki-Terapisë.

Ai theksoi se ky informacion vjen nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa shtoi se ky aparat në Onkologjik mungon prej shumë kohësh.

“Është një raport i kontrollit të lartë të shtetit i publikuar pak kohë më parë e gjatë vitit 2020-2022 janë 600 gra të prekura nga kanceri gjinekologjik të cilat nuk e kanë marrë trajtimin për shkak të mungesës së brakiterapisë.

Ky është raporti zyrtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku gjithashtu thuhet se mosvendosja në punë e ortovoltazhit për trajtimin e kancerit të lëkurës, melanomës, janë 200 pacientë që nuk janë trajtuar”, tha Stafa në emisionin “Review” në Euronews Albania.