Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka konrimuar se prej sot (e hënë) edhe zyrtarisht Stadiumi i Qytetit mban emrin Fadil Vokrri.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ai e ka falënderuar Kuvendin Komunal që e ka miratuar propozimin e emrit.
“Prej sot edhe zyrtarisht Stadiumi i Qytetit mban emrin Fadil Vokrri. Faleminderit Kuvendit Komunal që miratoi propozimin e emrit”, ka shkruar Ahmeti në një njoftim në Facebook.
Më 23 korrik 2018, që do të ishte ditëlindja e 58-të e legjendës së futbollit kosovar, Komuna e Prishtinës mori vendim që stadiumit të Prishtinës t’ia vinte emrin “Fadil Vokrri”.
Të njëjtën ditë edhe ekipi punues kishte dalë te stadiumi, për ta vendosur emri i legjendës me shkronja të mëdha.
Kurse tashmë është gjithçka zyrtare duke qenë se emërtimi i stadiumit me emrin e ish-presidentit të FFK-së është miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Legjenda e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri, ndërroi jetë më 9 qershor 2018 në Prishtinë. /Telegrafi/