Në të vërtetë, stadiumi që është arenë e derbit më të madh në sportin e Kosovës, në qytetin e Gjilanit njihet me tre emra, shkruan sot “Koha Ditore”.
Komuna e Gjilanit, e cila e menaxhon dhe e ka në pronësi, e njeh këtë stadium si “Stadiumi i qytetit” siç është edhe i regjistruar dhe siç njihet gjerësisht në Kosovë.
Por situata nuk është e njëjtë edhe me tifogrupet e të dyja skuadrave. Tifozët e Dritës, “Intelektualët” stadiumin e njohin me emrin “Selami Osmani – Bezi”, derisa ata të skuadrës së Gjilanit, “Skifterat” e quajnë “Agim Ramadani”.
Në ndeshjen e fundit, të zhvilluar të dielën mes këtyre dy skuadrave, të dyja grupet e tifozëve patën transparente me emrin e stadiumit ashtu siç e njohin ata. Derbi mes Dritës dhe Gjilanit është njëri prej më të mëdhenjve dhe më të zjarrtëve në Kosovë.
Vetëm në ndeshjen e fundit, në stadium u mblodhën hiç më pak se pesë mijë tifozë: në njërën anë ata të Dritës dhe në tjetrën të Gjilanit.
Zyrtarët e Komunës së Gjilanit insistojnë se stadiumi nuk është as në pronë të Dritës e as të skuadrës së Gjilanit, dhe për këtë arsye duhet të mbajë emrin me të cilin është edhe i regjistruar. Kështu thotë përgjegjësi për kulturë, rini e sport në Komunën e Gjilanit, Bujar Haziri.