Telegrafi

“Stadiumi ‘Adem Jashari’ do t’i plotësojë kriteret e UEFA-s” – nga Qeveria e Kosovës flasin për investimet që do të bëhen

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani, ka thënë se stadiumi “Adem Jashari” do të jetë sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s.

Ai ka thënë se ka nisur procesi i shpronësimeve dhe se pas përfundimit të tyre, stadiumin në Mitrovicë do të jetë gati që Kosova dhe klubet e saj t’i luajnë ndeshjet ndërkombëtare.

“Kemi filluar procesin e shpronësimeve në lidhshmëri me stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, stadium i cili do të ngritët sipas standardeve të kërkuara nga UËFA dhe FIFA”.

“Standarde të cilat do të mundësojnë fillimin e mbajtjes së garave ndërkombëtare në këtë stadium”, ka thënë Zogiani në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ndau 3.2 milionë euro për shpronësimet rreth këtij stadiumi.

Aktualisht, Kosova ka vetëm një stadium që plotëson kriteret për ndeshje të përfaqësueseve dhe klubeve, stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/