Fundjavën që e lamë pas Komisioni i Federatës së Futbollit të Kosovës për inspektimin fushave kishte vizituar stadiumin “Adem Jashari”, ku ishin mahnitur me punën që është duke e bërë aty.
“Ne e kemi bërë inspektimin e fushave në Mitrovicë dhe kemi konstatuar se stadiumi ‘Adem Jashari’ nuk është në gjendje që të zhvillohen ndeshje. Fusha aty është shumë e mirë, por lokalet përcjellëse ishin duke u rregulluar, madje çfarë pamë ne aty ishte duke u krijuar një objekt tejet modern”, ka thënë Adem Çollakaj, sipas të cilit, Trepça ndeshjet e pranverës do t’i zhvillojë të rivalet lokalë Trepça’89.
Se stadiumi Adem Jashari në verë do t’u ngjajë stadiumeve evropiane dhe se do të jetë shembull për të gjithë, e konfirmon kryetari i klubit të Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, sipas të cilit ky vit do të sjellë një stadium tejet modern.
“Stadiumi i Trepçës është duke u rregulluar. Jemi duke punuar me intensitet të lartë dhe me investimet që do të hyjnë aty, ai stadium do t’i ngjajë një stadiumi tejet modern siç shohim në Evropë”.
“Gjithçka që i duhet një stadiumi, ai do të ketë, duke filluar nga teshatoret me nivel të lartë, ashensorë për tifozët VIP, vendi për gazetarët, interneti e deri te sauna. Me një fjalë do të krijojmë një stadium shumë të bukur”, përfundoi Haxhiu. /Telegrafi/