Site icon Telegrafi

Stadium po, klub jo!

Madje, pjesa e tribunës perëndimore vetëm sa nuk është rrënuar dhe gjithsesi paraqet rrezik, jo vetëm për shikuesit. Drejtuesit e Komunës së Prizrenit mbase mund të arsyetohen se kanë investuar në fushë dhe se mungojnë mjetet financiare për investime tjera në stadium, por realiteti duket se është ndryshe. Ka disa ditë që në fshatin Serbicë të Ulët ka nisur ndërtimi i fushës së futbollit, kurse vlera e këtij investimi nga komuna është saktësisht 496.810.60 euro.

Me apo pa qëllim e dinë vetëm ata që kanë vendosur, por punimet kanë nisur mu në kohën e fushatës së zgjedhjeve. Kur dihet se investimet në stadiumin e Lirisë kapin vlerën e 200 mijë eurove, atëherë shtohet pyetja se si është e mundur që në një fshat të investohet dy herë e më shumë se në stadiumin e një skuadre me traditë.

Befasia është aq më e madhe kur dihet se në fshatin Serbicë të Ulët nuk ka fare klub të futbollit. Kryesi i punëve është “Eurovia&Gprojekt” – Prizren me pronar Rexhep Gashi, i cili (jo) rastësisht ka qëlluar të jetë pikërisht nga ky fshat. “Ka disa ditë që kemi filluar punimet në ndërtimin e stadiumit në fshat dhe punët do të zgjasin më shumë se dy vjet. Vlera e investimeve do të jetë 490 mijë euro dhe do të ndërtohen edhe tribunat dhe zhveshtoret”, thotë Gashi, i cili e pranon se në këtë fshat fare nuk ka klub të futbollit.

“Jo nuk kemi klub të futbollit, më parë kemi pasur por është shuar, kurse tani mendojmë ta ringjallim klubin”. Derisa drejtori i shërbimeve publike, Hasan Hasani, nuk pranoi të flasë, pasi që, sipas tij, nuk është kompetent, por këtë e bëri zv.drejtori i Kulturës e Sportit në KK të Prizrenit, Kujtim Gashi.

“Punët kanë filluar dhe vlera e investimeve është 300 mijë euro. Stadiumi nuk është vetëm i Serbicës, por edhe i fshatrave të tjera. Pritet që ky projekt të përfundojë në vitin 2015 dhe deri atëherë do të punohet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me fushën 110-60 metra, kurse faza e dytë punimet në tribunat”, tha Gashi.

Kryetari i KF Liria, Masar Shala, di për stadiumin e ri, por nuk e di shumën e investimeve. “Kam dëgjuar për stadiumin në Serbicë të Ulët, por nuk di më shumë. Nuk besoj se Komuna të bëjë investim aq të madh atje”, tha Shala. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version