Telegrafi

Stabilizohet prodhimi dhe operimi në KEK

Tash e disa vite, koncepti i menaxhimit në KEK ka ndryshuar nga aktivitetet emergjente të investimeve dhe mirëmbajtjes në ato preventive dhe të planifikuara. Falë kësaj, dhe mobilizimit në të gjitha hallkat e ndërlidhura, përkundër operimit me njësi që kanë një moshë mesatare 40 vjeçare,KEK ka arritur që vit pas viti të rris në mënyrë të vazhdueshme nivelin e prodhimit.

Në vitin 2013, prodhimi ka arritur prej 6 milionë e 300 mijë MWh, ishte dyfish më i madh në krahasim me atë që ishte dhjetë vite më herët. Si rrjedhim, për herë të parë pas lufte, në Kosovë prodhimi energjisë kishte tejkaluar konsumin në nivel vjetor.

Pas avarisë aksidentale që ndodhi në qershor 2014 në Termocentralin “Kosova A”, korporata është përballur me shume sfida dhe ka kaluar një dimër të vështirë. Por edhe pse është ballafaquar me mungesë të të hyrave të rregulluara për shkak të mungesës së prodhimit, KEK ka mbijetuar dhe ka arritur që të gjitha aktivitetet investive rreth funksionimit të këtyre njësive të kryej ekskluzivisht me forca vetanake.
Përkundër gjendjes së konstatuar pas aksidentit dhe moshës së këtyre njësive, falë përkushtimit maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve të KEK-ut, me kursime buxhetore të bëra nga gjitha linjat pos atyre që prekin operimet qenësore dhe sigurinë, investimet në riparimin e njësive të TC “Kosova A” janë duke shkuar drejt përfundimit.

Si rrjedhim, pas përballjes me sukses me gjithë këto sprova, njësitë dhe stabilimentet prodhuese të qymyrit dhe energjisë elektrike, janë kthyer në binarë të rregullt të ciklit operues, dhe KEK është duke prodhuar sipas planit.

Nga aspekti teknik termocentralet si njësi gjeneruese të energjisë elektrike prodhojnë në bazë të bilancit vjetor të aprovuar ku janë të definuar të gjitha afatet kohore të ndalesave të secilës njësi gjeneruese në këtë vijë, duke marr parasysh ngarkesat sezonale të shfrytëzimit të njësive gjeneruese dhe pajisjeve në miniera, tashme kemi hyrë në sezonin e rregulltë të remonteve dhe përgatitjeve teknologjike të tyre për periudhën vijuese vjeshtë/dimër .

Në njësinë B1 janë duke u zhvilluar aktivitet të planifikuara të mirëmbajtjes, si edhe disa intervenime të nevojshme që janë kërkuar të bëhen nga kontraktorët e Termokosit për sa i përket kogjenerimit. Të gjitha këto punë do të përmbyllën brenda një afati 10 ditorë. Pas përfundimit të kësaj, dhe lëshimit në punë kësaj njësie, sipas bilancit në njësinë B2 do të ndërmerren veprime të mirëmbajtjes së rregulltë, që pritet të zgjasin 35 ditë.

Te gjitha këto aktivitete të planifikuara tash e një vit me parë, që rrisin qëndrueshmërinë e njësive do të mundësojnë furnizuesit publik ( KEDS) dhe Termokosit furnizim stabil me energji elektrike dhe ngrohje nga prodhimi vendor. /Telegrafi/