Ekonomia e Britanisë së Madhe është stabilizuar pasi kufizimi i muajit të kaluar goditi biznesin, ndërsa konsumatorët shpresojnë që fushata e vaksinimit do të nxisë një rimëkëmbje.
Sipas Indeksit IHS Markit, ekonomia është tkurrur lehtë në gjysmën e parë të shkurtit, ndërsa kompanitë u përshtatën me kufizimet e fundit. Nga ana tjetër, një studim i veçantë i familjeve tregoi se konsumatorët kanë më shumë besim që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Britania e Madhe gjatë 2020-së regjistroi rënien më të madhe në 300 vjet, kur u tkurr me 10 për qind dhe pritet të tkurret me 4 për qind në tre muajt e parë të vitit 2021, parashikon Banka e Anglisë.
Gjithashtu, Banka Qendrore pret një rikuperim të fortë ne vijim për shkak të programit të vaksinimit COVID-19, ndonëse disa politikëbërës mendojnë se banka duhet të ulë normat e interesit nën zero më vonë gjate këtij vit nëse papunësia do te qëndroje e lartë.
Kryeministri Boris Johnson të hënën pritet të njoftojë hapat e ardhshëm të kufizimeve, por ka deklaruar se çdo lehtësim i kufizimeve do të jetë gradual.
Të dhënat zyrtare për janarin nënvizuan ndikimin e kufizimeve të fundit te shitësit me pakicë.
Vëllimet e shitjeve me pakicë ranë me 8.2 për qind nga muaji dhjetor 2020, një rënie shumë më e madhe sesa parashikimi i rënies prej 2.5 për qind në një sondazh të Reuters për ekonomistët, dhe i dyti më i madhi i regjistruar. /Telegrafi/