Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, Festim Halili i shoqëruar nga ministrja e Pushtetit lokal, Shirete Elezi, sot janë pritur nga kryetari i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Kryetari i Kuvendit Meta, siç thuhet në kumtesë, u uroi suksese Halilit dhe Elezit në punën e tyre dhe vuri në dukje se zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë e cila, siç thuhet më tej, është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjata të ndërlidhjes rajonale.
“Stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë”, ka thënë Meta.
Zëvendëskryeministri Halili vlerësoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të kryetarit Meta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje dhe nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore si korridori tetë janë vendimtare për të ardhmen e dy vendeve.
Në fund, siç shtohet në kumtesë, Meta ka theksuar se Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve.
Në këtë drejtim, gjithashtu, u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit, të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit./Telegrafi/