Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Lubomir Mariq ka folur në transmetuesin publik të Serbisë, duke thënë se “Trepça” duhet të diskutohet dhe të përcaktohet në nivel të delegacioneve në Bruksel.
Mariq ka thënë se përfaqësuesit serbë kanë tentuar t’i thonë kryeministrit Isa Mustafa se vendimi për formimin e Komisionit për Trepçën nuk është i mirë, transmeton Koha.net.
“Ky vendim nuk është ai për të cilin kemi biseduar dhe qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar – statusi i “Trepçës” duhet të trajtohen në nivel të Brukselit “, tha Mariq.
Ministri serb i Kosovës ka përkujtuar se Qeveria e Kosovës në janar të vitit të kaluar është përpjekur që t’a transformojë “Trepçën”, por që Beogradi e kishte parandaluar këtë skenar duke iu falënderuar pozicionit të tij ndërkombëtar.
Mariq me tej tha se Komisioni për Trepçën, i cili ka 16 anëtarë, duke përfshirë edhe dy përfaqësues të serbëve, vetëm ta plotësojë formularin.
“Në të (v.j. Komision) janë ish-drejtorë e përfaqësues akademikë të Prishtinës – e qartë që do të mbivotohet. Ne shkuam në aktivitetet e bashkësisë ndërkombëtare që t’u themi se ajo nuk pasqyron marrëveshjen e koalicionit me partnerët me të cilët jemi në qeveri dhe do të shohim se si do të përfundojë kjo punë”, ka thënë Mariq, teksa ka shtuar se nuk sheh arsye që serbët të marrin pjesë në diçka ku takohen vetëm që të plotësojnë formularin.