Telegrafi

Sri Lanka i hap rrugën Starlink të Musk – plani është të rritet sektori i IT në një industri prej 15 miliardë dollarësh

Parlamenti i Sri Lankës miratoi të martën amendamentet e një ligji prej dekadash për të lejuar Starlink të Elon Musk, njësia satelitore e SpaceX, të ngrejë operacione në vendin ishullor të Azisë Jugore.

Parlamenti i Sri Lankës miratoi ligjin e ri të telekomunikacionit, i cili ndryshoi ligjin ekzistues për herë të parë në 28 vjet, pa votim, tha zyra e parlamentit në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndryshimet do të prezantojnë tri lloje të reja licencash dhe do të lejojnë Starlink të hyjë në tregun e telekomunikacionit të Sri Lankës si një ofrues shërbimi i licencuar, në pritje të miratimit nga rregullatori i telekomit, tha në parlament ministri i teknologjisë Kanaka Herath.

Ligji fillestar nuk kishte rregullore që lejonin ofruesit e shërbimeve të internetit satelitore të operonin në vend.

“Kjo mundësi nuk është vetëm për Starlink, por çdo kompani tjetër që dëshiron të investojë në Sri Lanka”, u tha Herath ligjvënësve të martën ndërsa prezantoi projektligjin.

“Plani ynë është të rrisim sektorin e IT në një industri prej 15 miliardë dollarësh deri në vitin 2030. Kështu që është e rëndësishme që të tërheqim kompanitë ndërkombëtare për të ofruar internet, veçanërisht në zonat rurale”.

Starlink iu afrua Sri Lankës në mars me një propozim për të ngritur operacione, tha Herath për Reuters të hënën.

Sri Lanka dha miratimin paraprak të Starlink në qershor pas ndjekjes së shpejtë të procesit.

Starlink do të duhet të paguajë një tarifë për licencën, shtoi Herath, pa dhënë detaje. /Telegrafi/