Telegrafi

Kuvendi po heton rastin e videoxhirimit nga përkthimi në seancën e 9 marsit

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë një sqarim lidhur me një videoxhirim nga seanca e 9 marsit të këtij viti, që është bërë viral në media online dhe rrjete sociale.

Në sqarim thuhet se në “seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 9 mars 2020, në mungesë të përkthyeses zyrtare të gjuhës turke (për shkaqe shëndetësore), Grupi Parlamentar 6+, në mirëkuptim, ka angazhuar për përkthim nga gjuha turke në atë shqipe dhe anasjelltas një të angazhuar në grup”.

“E njëjta, në këtë angazhim jashtë punës së saj të kontraktuar, ka përkthyer me kapacitetin e saj”, thuhet në sqarim, përcjell Telegrafi.

“Duke pasur parasysh se një video-xhirim nga seanca është bërë viral në media online dhe rrjete sociale, i nxjerrë jashtë kontekstit, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka kërkuar nga organet kompetente të zhvillojnë hetime përkatëse për vlerësimin e gjendjes faktike”, përfundon sqarimi./Telegrafi/