Site icon Telegrafi

Sqarimi i KEDS-it rreth “konfiskimit” të lopës për borxhe të rrymës

Pas raportimit në media rreth konfiskimit të një lope për borxh të faturave të energjisë elektike ka reaguar KEDS-i duke thënë se ata nuk bëjnë konfiskime të pasurisë.

Sqarimi i plotë i KEDS-it

Sqarim nga KEDS-i rreth rastit në Dvorishtë të Podujevës

KEDS / KESCO dëshirojnë të sqarojë për opinionin se nuk ia kanë konfiskuar lopën z. Bislim Halitit nga fshati Dvorishtë e Podujevës, siç është apostrofuar në shumë media.

KEDS/KESCO nuk konfiskojnë asnjë pajisje shtëpiake apo pasuri të asnjë individi, por merren me distribuimin, përkatësisht furnizimin me energji elektrike dhe janë të licencuar për të operuar në tërë territorin e Kosovës.

Në kuadër të këtyre kompetencave, KEDS / KESCO kanë përgjegjësi ligjore t’i trajtojnë të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë. Kjo nënkupton edhe detyrime të anës tjetër, pra ata që e shpenzojnë duhet ta paguajnë.

Në rast të mospagesës së borxhit është praktikë standarde që KEDS / KESCO e dërgojnë rastin tek përmbaruesi në pajtim me ligjin përkatës.

KEDS / KESCO të gjitha veprimtaritë e veta i mbështesin në ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Në rastin konkret, ka qenë vet konsumatori që në mënyrë vullnetare kishte shkuar të përmbaruesi dhe e kishte paguar borxhin njëherësh, përkundër faktit se i ishte mundësuar pagesa me rata nga përmbaruesi privat.

KEDS / KESCO lusin të gjitha mediat që të marrin edhe anën tjetër kur shkruajnë në mënyrë që të del e vërteta në shesh dhe të mos rrëshqitet në të pavërteta të cilat po dëmtojnë rëndë dhe qëllimshëm operimet e kompanisë. /Telegrafi/

Exit mobile version