Telegrafi

Spurs ndalojnë edhe Chelsean

Të zgjedhurit e trajnerit Harry Redknapp kaluan në epërsi pas 15 minutash lojë me një gol të shënuar nga pika e bardhë nga Jermaine Defoe, pasi më parë kapiteni John Terry kishte prekur topin me dorë.

Florent Malouda ‘mendoi’ se barazoi rezultatin kur shënoi një gol për Chelsean shtatë minuta para fundit të pjesës së parë (38’), por goli me të drejtë u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Në anën tjetër vendasit shënuan edhe një herë me anë të lojtarit më të mirë të ndeshjes, Gareth Bale, në prag të fundit të pjesës së parë të takimit (44’).

Chelsea morri një goditje tjetër në pjesë të dytë kur John Terry morri dy kartonë të shpejtë të verdhë dhe u largua jashtë loje (67’). Por, edhe pse me një lojtar më pak në fushë blutë arritën të shënojnë një gol të vonshëm me anë të Frank Lampard, por që nuk i mjaftoi ekipit mysafir për të nxjerrë ndonjë pikë.

Rezultati e ngre Tottenhamin në pozitën e katërt të tabelës që dërgon në Ligën e Kampionëve, dy pikë para Manchester Cityt që u mposht në derbin tjetër të Ligës Premier si vendas i United.

Pavarësisht humbjes, Chelsea vazhdon të mbetet në maje të tabelës, por tash vetëm me një pikë epërsi ndaj Manchester United. /Telegrafi/