Mbi të gjitha shtrohen pyetjet: Çka po bisedojnë përfaqësuesit serb nëpër Evropë, aty ku shqiptarët e Kosovës nuk kanë informacion?
Sa serb vrasës janë dënuar për masakrimin e popullatës civile shqiptare në Qires e Likoshan, në Abri, në Izbicë, në Podujevë në Qyshk të Pejës, në Reçak, në Meje, në Krushë…
Sa varreza masive të shqiptarëve mbahen ende sekrete në Serbi?
Si mund të ndodhë që ende KOS-i pa pengesa vazhdon ndërtimin e kishave politike si atë në Rumi, në Martinaj apo tjetrën afër kompleksit të tetë mijë varrezave të boshnjakëve të pushkatuar në Srebrenicë?
Si lejon Evropa demokratike talljen e Serbisë me drejtësinë për të cilën flitet me aq pompozitet, ndërsa në burgjet e së cilës nuk gjendet edhe një vrasës i vetëm?
A thua Serbia u dashka të pyes çdo individ serb dhe “vlladikë” se çka mund të bisedohet me shqiptar?
Gjithçka që po ndodh dhe flitet tash e katërmbëdhjetë vjet për Kosovën , është shndërruar në refren torturues për njeriun e kësaj toke.
Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e ka marr seriozisht vendosjen e paqes ne Ballkan, krejt kjo çka po ndodhë sot mund të quhet lirisht një terror psikologjik mbi popullatën e traumatizuar e të shkatërruar nga krimet serbe, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë .
Zvarritja e pakufishme e zbatimi i çfarëdo pike të akorduar siç thuhet në Bruksel, është bërë siç thotë populli – “përrallë me tupan”.
Vetëm i marri mund të shpresojë që Serbia do zbatojë a respektojë ndonjë pikë të marrëveshjes që u shpall me aq pompozitet në Bruksel. Të gjithë ata që sot në çfarëdo mënyre merren me aktualitetin politik në rajon, mund të vërejnë së përbrenda çdo fjalie të cilësdo deklarate të pushtetarëve të Beogradit, ka diçka që nuk shkon në favor të realizimit të cilësdo pikë të dokumentit të nënshkruar në Bruksel.
Do të ishte e tepërt të citohen aq shumë deklarata kontradiktore të palës serbe, se vetëm diletantët e skajshëm mund të shpresojnë se Serbia ka ndryshuar. Derisa secili nga liderët serbë ende betohet para patriarkut apo cilitdo “vlladikë”, nuk ka të ngjarë që diçka ka ndryshuar në politikën serbe.
Veprimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dëshmojnë gjithçka. KOS-i i cili ka bërë të gjitha planet e zeza të shfarosjes së fqinjëve, ende nuk ka ndryshuar as një nuancë. Madje, vet kisha financon grupet fashiste serbe. Kisha serbe kërcënon hapur edhe me vrasje këdo që do të guxonte të realizojë çfarëdo marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës. Kushdo që shpreson se Serbia do zbatojë një marrëveshje, vetëm le t’i kthehet fakteve historike, të cilat janë aq shumë dhe aq bindëse deri sot, sa përjashtojnë edhe vetë idenë se Serbia ka ndryshuar.
Kur nuk ka rezultate në cilëndo fushë të jetës, ata që aktualisht gjenden në pozicione për të folur para mediave, nuk mbesin fort keq dhe grumbullojnë fjalë të mëdha të cilave shumë herë nuk ua dinë as kuptimin.
Nga marrëveshja aq shumë e përfolur që u nënshkrua në Bruksel midis Beogradit dhe Prishtinës, megjithëse u konsiderua “historike” me shkronja e fjalë nga burrështetas të njohur edhe me emër, jo që nuk polli asgjë, por shumë gjëra vetëm sa janë komplikuar.
Do të ishte shumë më mirë që në Bruksel të arrihej një marrëveshje “gjeografike” me shkronja e fjalë të qarta për të gjithë. Fatkeqësisht, një marrëveshje e tillë në Ballkan mungon qëkur ishte larguar Perandoria Osmane.
Të filozofosh me fjalë të mëdha sot nuk është ndonjë mjeshtri, por kur është fjala për çfarëdo marrëveshje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve duhet shumë maturi.
Së paku krejt ajo që dihet nga historia e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe cilitdo vend të Ballkanit, nuk mund të gjendet edhe një rast kur Mbretëria virtuale serbe ka respektuar dokumentin e nënshkruar.
Derisa transversalja e “Sveti Savez” përshkon shumicën e kokave serbe, duket qartë se është shumë herët të flitet për një marrëveshje reale me Serbinë.
Është vështirë të paramendohet se ku mbeti politika e integrimeve evropiane këto ditë, kur Serbia vazhdon angazhimin e saj diplomatik kundër Kosovës në të gjitha drejtimet.
Derisa kreu shtetëror serb i tha në sy kreut shtetëror të Ankarasë që të mos angazhohet për njohjen e Kosovës nga shtetet tjera islamike, u nënshkrua marrëveshja serbo-ruse në rrafshin e bashkëpunimit strategjik.
Tashmë është kuptuar se në planin e integrimeve evropiane nuk shihet ndonjë politikë pragmatike (përveç politikës gjermane).
Edhe në rast se marrim parasysh marrëveshjen e nënshkruar midis Kosovës e Serbisë, ajo që shihet në planin e angazhimit diplomatik serb dëshmon krejt të kundërtën.
Se me çfarë deklaratash pompoze u vlerësua arritja e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, nuk ka nevoje të thuhet edhe një fjalë e vetme. Jo vetëm ata që e nënshkruan, por edhe të gjitha ata që në çfarëdo mënyre kishin lidhje me negociatat unanimisht thanë se kjo është “ngjarje historike”.
Fatkeqësia qëndron në faktin se njërin nënshkrim e kishte bërë zëdhënësi i “vozhdit” dhe kushdo që di dy shkronja nga politika ka mundur lehtë të vlerësojë se gjasat për zbatimin e marrëveshjes janë më pak se një përqind.
Nuk ka njeriu imagjinatë se sa obstruksionet i bën koka politike serbe për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar.
Mund të thotë dikush se Serbia nënshkroi Marrëveshjen e Kumanovës! Kushdo që ishte gjallë asokohe dhe që jeton edhe sot e di mirë se si e nënshkroi dhe zbatoi atë marrëveshje Serbia. Nga gjithë ajo që po shihet edhe tash më shumë se një muaj nga nënshkrimi i të ashtuquajturës marrëveshje historike nuk është realizuar as edhe një shkronjë e vetme.
Pse thuhet se historia është mësuese e jetës?
Vetëm po t’i hidhet syri kronikes se marrëveshjeve që ka nënshkruar Vozhdi dhe periudhës pas Marrëveshjes së Kumanovës, do të shohim se Serbia nuk ka zbatuar asnjëherë asnjë shkronjë të cilësdo marrëveshje. Po kush nuk e ka kuptuar se çka po ndodh me “Marrëveshjen e Dejtonit” në Bosnje?
Po të analizohet mirë gjithë ajo që po ngjanë tash njëzetetre vjet, mund të shihet se politika serbe ka kaluar në ofensivë të plotë në të gjitha frontet, përveç atij të luftës.
Çka po ndodh në politiken evropiane karshi Kosovës dhe negociatave aktuale me Serbinë, vështirë mund ta kuptojë njeriu normal. Nëse ndiqet rruga e deritashme e qëndrimit të butë ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe politikes se saj kundruall Kosovës, por edhe gjithë vendeve që dolën nga shpërbërja e ish Jugo-Serbisë, jo që nuk do te arrihet kurrë një paqe e qëndrueshme, por ka gjasa të mëdha që të serbizohet gjithë politika evropiane e integrimeve.
Nëse vazhdohet me parimet e tashme që të lutet secili individ serb se a e pranon shtetin e Kosovës apo jo, atëherë vetëm të marrët mund të besojnë se mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes se arritur me aq pompozitet.
Primare për Kosovën sot do të duhej të mbetej zhvillimi dhe forcimi ekonomik paralel zhvillimit të të gjitha institucioneve relevante të sigurisë së shtetit. Vetëm funksionalizimi i plotë i shtetit të Kosovës e sjell paqen me Serbinë.
Shumë gjera fqinji ynë verior i ka të qarta, por ato do t’i kuptoi si duhet vetëm atëherë kur në Kosovë të funksionojnë si duhet shtyllat kryesore të shtetit. Serbinë e detyron të zbatojë çdo marrëveshje kur bëhesh i denjë për ketë. Kosova do ta detyrojë Serbinë të respektojë dhe zbatojë çdo shkronjë të cilësdo marrëveshje vetëm kur strukturat me uniformë të shtetit të Kosovës ngrihen në nivelin e duhur për t’iu përgjigjur çdo sfide të kohës.
Me Serbinë do të jemi miq dhe fqinj të mirë vetëm kur të jemi të barabartë me ushtri dhe polici.