Site icon Telegrafi

Spreji kundër dhimbjes – mit apo realitet

 Mr. sc. Arben Boshnjaku
Fizioterapeut
tel. 044 477 337
Ordinanca ‘Fixoterapia’
Rr. Su 1/2, Platoja e Postës Kryesore, Dardani
Prishtinë

Sot ne po jetojmë në një kohë kur të marrësh një bar për shërim është gjëja më normaleqë mund të ndodh. Thjesht njeriut i duhet të shkojë në barnatore ku mund të sigurojë çfarëdolloj bari në të gjitha format e mundshme, qoftë edhe barna që me ligj janë të ndaluara. Poashtu, sot është bërë pothuajse normale të shihen sasi të mëdha të sprejeve që përdoren gjatë stërvitjeve dhe lojërave të rëndomta me qëllim të zvogëlimit të dhimbjes apo lodhjes muskulore te sportistët. Të mos i përmendim këtu ndeshjet e rëndësishme apo lojërat e mëdha, atëherë kur gjithçka duhet të jetë perfekte dhe gjithsecili duhet të japë
maksimumin prej vetvetes.

Lehtësisht mund të vërehet që gati çdo lojtar beson dhe në fakt është thellësisht i bindur në “efektin magjik-shërues” të sprejit. Dhe në këtë grup bën pjesë shumica absolute krahasuar me pakicën, atë pjesën skeptike të popullatës që shpeshherë jep dyshimet e veta në lidhje me vendimet e shumicës. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: asnjë lojtar nuk refuzon sprejin gjatë lojës dhe çuditërisht disi duket që jo rrallë gjithsecili prej tyre edhe i kënaqet kësaj duke u ndjerë më mirë se paraprakisht. Ky fenomeni vetëshërimit përmes bindjeve të rrejshme quhet efekti placebo dhe përndryshe përshkruhet si përdorimi apo konsumimi i një substance apo procedure joaktive që përdoret me qëllim përmirësimi të gjendjes faktike shëndetësore.

Sipas një studimi të bërë në SHBA, një pjesë e konsiderueshme e sportistëve edhe e dinë që veprimet e tilla shëruese që ndërmerren për lehtësimin e lëndimit të tyre (aplikimi i sprejit kundër dhimbjes) munden të kenë edhe efekt placebo duke mos pasur kurrfarë ndikimi farmakologjik, por për aq kohë sa e arrin efektin psikologjik duke e bindur individin për efektivitetin e saj askush nuk e vë në dyshim rëndësinë e tyre.Sprejet që përdoren në lojë mund të jenë me përmbajtje farmakologjike (relaksues të muskujve – miorelaksant, eliminues të dhimbjes – analgjetik) dhe pa përmbajtje farmakologjike, të cilat efektin largues të dhimbjes e arrijnë përmes të ftohtit që e lëshojnë (Ice Spray).

Sipas një studimi të realizuar kohëve të fundit nga 50 individë që iu nënshtruan studimit, efekti placebo u shfaq në 34 prej tyre. Kjo i bie që në 68% të rasteve njerëzit kujtonin që dhimbja dhe lodhja po hiqen nga spreji që u hidhej në vendin e lëndimit, i cili në të vërtetë ishte thjesht një deodorant me aromë fare të lehtë. Ky studim tregoi edhe një herë brishtësinë e botës së njeriut, ku pas marrjes së një bari (në rastin tonë spreji) me vendosshmëri pret përmirësim të gjendjes dhe është i bindur që përmirësimi domosdoshmërisht vjen.

Gjatë po këtij studimi u vërejt që shumë më të predispozuar ndaj bindjeve të gabuara për shërim të rrejshëm janë moshat e shtyra në krahasim me moshat tjera dhe meshkujt në krahasim me femrat.

Kështu, me bindje të plotë mund të themi që në të shumtën e rasteve njeriu shërohet atëherë kur ai don të shërohet, prandaj këtë fakt duhet parë si një gjë shumë pozitive që mund të ndihmojë shumë në të ardhmen për tejkalimin e situatave kontradiktore në mjekësi, sanimin e lëndimeve jo shumë serioze gjatë lojës dhe aktiviteteve fizike e sportive dhe për të mirën e njeriut në përgjithësi. /Telegrafi/
 

Exit mobile version