Pasi kryeministri i tashëm serb, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar kandidaturën e tij për president të Republikës së Serbisë, është publikuar edhe spoti i parë publicitar që ka bërë të qesh pothuajse të gjithë që e kanë parë.
Videon Vuçiqi e ka postuar në profilin e tij në Facebook, me këtë tekst: “Aleksandar Vuçiqi e shpëtoi Serbinë nga bankroti dhe e vuri shtetin në rrugën e duhur. Nuk duhet të ndalemi. Serbia duhet të ecën para. Më fortë! Më shpejtë! Më mirë!”, transmeton Telegrafi.
Por, klipi është i çuditshëm për një kampanjë presidenciale. Në një aeroplan me mbishkrimin “Serbia 2017”, dëgjohet një zë: “Zonja dhe zotërinj, ju flet kapiteni”. Pastaj dëgjohet zëri tjetër: “Ju flet kapiteni tjetër”. Udhëtarët konfuzë nuk dinë gjë, e pastaj kuadri i kamerës kalon te kabina e pilotimit. Secili kapiten dëshiron ta drejtojë aeroplanin, në anën e tij. Njëri e kthen majtas, tjetri djathtas. Mes udhëtarëve nis paniku dhe bien gjërat. Aeroplani dridhet nga të gjitha anët.
Pastaj, shfaqet Vuçiqi, i cili gjoja po zgjohet dhe këtë e ka parë si ëndërr të keqe. Ai thotë thotë: “Ky mund të jetë makthi më i keq. Shteti ynë është si ky aeroplan; i besohet dy njerëzve ta drejtojnë – kryeministrit dhe kryetarit. Nëse këta dy njerëz e drejtojnë shtetin në drejtime të kundërta, nuk do ta ruajmë kursin se stabilitetit që e kemi tani”.
“Ashtu është”, thonë kapitenët që e kishin lënë kabinën vetëm.
Cili është mendimi juaj për këtë. /Telegrafi/