Site icon Telegrafi

Sportistët optimistë për medalje në Lojërat Evropiane në Minsk të Bjellorusisë

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, në një takim ka mirëpritur delegacionin e sportistëve të Kosovës që do të marrin pjesë në lojërat evropiane në Minsk të Bjellorusisë.

Ai me këtë rast shprehu edhe njëherë gatishmërinë për t’i përkrahur sportistët e Kosovës, duke thënë se pas sukseseve dhe medaljeve të fituara kohë më parë në xhudo, tani është koha që vendin tonë ta nderojnë sportistët tjerë.

“Sigurisht që ky takim është më shumë për të uruar suksese dhe padyshim për ta konfirmuar mbështetjen tonë edhe për këto lloje të sportit të cilat do të jenë në këto gara por edhe padyshim për ta konfirmuar mbështetjen tonë të përbashkët edhe si qeveri edhe si Komitet Olimpik edhe si federata respektive të këtyre sporteve që të jemi bashkë në këtë rrugëtimin tonë të sukseseve të vazhdueshme që po na i sjellë sporti. Është padyshim një moment i rëndësishëm për ne si qeveri edhe për shtetin tonë edhe për Kosovën sepse presim të kemi medalje nga këto gara. Shpeshherë është me rëndësi edhe pjesëmarrja nëpër gara të këtij niveli por unë jam shumë i bindur duke e pasur parasysh talentin edhe atë të cilën e kanë dëshmuar këta sportistë në të kaluarën ne do të kthehemi në Kosovë me medalje”, tha Gashi.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik, Besim Hasani falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen e dhënë nga kjo ministri. Ai ndër tjerash tha se Kosova do të udhëtojë për në Minsk për të fituar sa më shumë medalje.

“Normalisht një ekip prej 12 anëtarësh por gjithsesi një ekip cilësor, ku tashmë 7 prej tyre vetëm e kanë shijuar se çka do të thotë me qenë në podium dhe me u stolis me medalje të kampionatit evropian, botëror madje edhe Olimpik. Përgatitjet kanë shkuar mjaft mirë falë mbështetjes tuaj dhe nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar. Këta një ditë, dy ditë para vetëm janë kthyer nga përgatitjet intensive që i kanë pasur pa i llogaritur edhe përgatitjet e mëparshme. Kështu që ajo që mund të them në emër të krejt delegacionit është që ekipi është i përgatitur”, tha Hasani.

Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi tha se sportistët nuk duhet të fokusohen se kush nga qeveritarët do të jenë të pranishëm në Minsk, por duhet të fokusohen në garat që do t’i kenë atje dhe të jenë sa më të suksesshëm.

“Për mua personalisht është hera e parë që do të marr pjesë në lojëra evropiane dhe sigurisht që jam e motivuar, mirëpo këshilla ime për të gjithë këta sportistë që do të marrin pjesë në lojërat evropiane e që nuk kanë qenë më parë në këtë garë ashtu si unë, këshilla ime kishte me qenë të jenë të fokusuar në punën e tyre dhe mos të merren shumë me që vinë presidenti, që vinë. Ndoshta për sportistë të ri kjo është pak presion, po nisem nga eksperienca ime që e kam pasur në Londër, kështu që mos të lejojnë gjëra të tilla që me hup fokusin në punën e vet. Po besoj shumë që kemi me u kthyer me disa medalje”, u shpreh Kelmendi.

Trajneri Driton Kuka u shpreh tejet falënderues ndaj ministrit Gashi, dhe sipas tij këta sportistë dhe trajnerë do të mundohen të prezantojnë sa më mirë të jetë e mundshme shtetin e Kosovën.

“Është kënaqësi që po gjeni kohë gjithmonë për sportin, është kënaqësi që i ke shtyrë shumë procese përpara, është kënaqësi që të gjithë këta sportistë kanë pasur mundësi të përgatiten së bashku me trajnerët që nuk kanë arsyetim në rast të mos suksesit përveç që me marr përgjegjësinë edhe sportistët edhe trajnerët edhe Federata. Kështu që topin e kemi ne, përgjegjësin e kemi ne dhe besoj në mënyrë më të mirë të mundshme do ta prezantojmë Kosovën si gjithmonë deri tash”, tha Kuka.

Ndryshe, disa prej sportistëve do të nisen nesër për në Minsk e disa të tjerë më vonë, varësisht prej orarit të garave përkatëse.

Exit mobile version