Sportistët kosovarë po garojnë në disiplina të ndryshme për të fituar sa më shumë pikë, për të siguruar normën olimpike për Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka përzgjedhur 19 sportistë elitarë, të cilët çdo muaj marrin bursa olimpike nga KOK-u dhe të cilët shihen si kandidatë për të fituar normën olimpike.
Katër nga këta 19 sportistë vijnë nga sporti i karatesë, tre prej tyre: Herolind Nishevci, Alvin Karaqi dhe Orges Arifi janë nga klubi më i suksesshëm në këtë sport, Ippon, kurse Fortesa Orana nga Dardania (Gjilan), transmeton KP.
Të gjithë këta, bashkë me Fortesën, janë duke u përgatitur intensivisht nën udhëheqjen e trajneres së mirënjohur, Shqipe Zogiani.
Këtij klubi së fundi i është bashkuar edhe fituesi i tri medaljeve evropiane, Dionisis Xenos nga Greqia.