Pandemia e coronavirusit ka bërë që e gjithë bota të solidarizohet me gjendjen e rënduar që po rënkon këto ditë mbi planetin.
Mediat po vazhdojnë të bëjnë punën e tyre duke informuar njerëzit rreth më të rejave të pandemisë, teksa në thuajse çdo program televiziv kohëve të fundit tema ka qenë e njëjtë – coronavirusi.
“Vizioni i Pasdites” i moderuar nga këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur për publikun, Evi Reçi, ka sjell gjatë këtyre ditëve një platformë interesante këshilluese për shikuesit.
Bëhet fjalë për lidhjet direkte me emrat e njohur nga vende të ndryshme, të cilët kanë treguar për gjendjen e vendit ku ata ndodhen.
Moderatori Labi, në një lidhje direkte ishte ndër të parët e emisionit që tregoi për gjendjen që Kosova po kalon këto ditë me përhapjen e coronavirusit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të vetë-izoluar derisa situata të përmirësohet.
Ish-kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, në një lidhje direkte nga Italia gjithashtu tregoi për gjendjen e tij dhe të familjes së tij në vendin ku ai jeton.
Cana tregoi se si gjithçka në Itali për momentin është e kufizuar dhe se dalja lejohet vetëm për të blerë gjërat e nevojshme.
Në lidhje direkte nga Prishtina ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili përshëndeti qytetarët e Shqipërisë dhe u bëri thirrje të gjithëve për sa më shumë kujdesë në këto ditë krize globale.
Emra të tjerë që gjithashtu iu bashkuan linjave të drejtpërdrejta dhe mesazheve të ndërgjegjësimit përfshinin kryetarin e Tiranës, Erion Veliajn, këngëtarët Mariza Ikonomi dhe Sinan Hoxha, e të tjerë. /Telegrafi/