Në debutimin e saj dhe në përgjithësi të klubeve të volejbollit në Evropë u kualifikua në raundin e dytë të garave "Challenge Cup", duke mposhtur skuadrën irlandeze Balymoney Blaze, në dy ndeshje rresht.
Por volejbollistët e skuadrës nga Skënderaj në fund të ndeshjes së dytë të zhvilluar në Prishtinë, nuk morën duartrokitje më shumë se nga 50 shikues.
Me numër të njëjtë të shikuesve, nga garat ndërkombëtare u përshëndetën të dielën edhe hendbollistet e Prishtinës, që u eliminuan në raundin e dytë të Kupës së EHF-së nga skuadra ukrainase Galytchanka, shkruan sot Koha Ditore.
Si në volejboll ashtu edhe në hendboll hyrja ishte falas për shikuesit, por ky nuk është problem vetëm i këtyre dy sporteve. Më rënie drastike të shikueshmërisë po përballen të gjitha sportet, madje edhe basketbolli dhe futbolli. Derbit e basketbollit më nuk po mbushin palestrat, ndërkohë që as përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk po arrin të mbushë stadiumet, siç bëri në ndeshjet e para pas lejes së marrë nga FIFA.
Trajneri i Drenicës, Arbon Osmani, ka pritur që numri i shikuesve të ishte dukshëm më i madh se që ka qenë i pranishëm në palestrën e vogël të Pallatit Rinisë dhe Sporteve. Ai befasohet që në tribuna nuk ka parë sportistë të klubeve të tjera. E faj pos vetes i vë edhe Federatës së Volejbollit të Kosovës, që në fundjavë ka lënë të zhvillohen edhe ndeshjet kampionale të Kosovës.
"Për pjesën e tifozërisë së Drenicës dhe qytetarëve të Skënderajt pak fajtor jam edhe vetë. Nuk kam pasur hapësirë të madhe që të merrem edhe me pjesën e shikuesve. Është dashur që të koncentrohemi më shumë në aspektin organizativ që gjithçka të shkojë si është më së miri. Ajo që më ka habitur më shumë është se në tribuna nuk pash volejbollistë nga gjeneratat e reja e deri tek seniorët. Por, kur nuk i ke ne palestër sportistët, atëherë çka pret më shumë. Megjithatë, faj ndoshta ka edhe Federata që ka lënë ndeshje kampionale të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve. Është dashur ndoshta të jetë fokusi vetëm në këto dy ndeshje, pasi ishin historike për volejbollin e Kosovës", ka thënë Osmani.
Këto ndeshje ishin të parat ndërkombëtare për volejbollin kosovar, të pranuar vetëm së fundi.
Ndërkohë për Prishtinën dhe hendbollin e Kosovës nuk është hera e parë që merr pjesë në garat ndërkombëtare. Interesimi i shikueshmërisë ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e para pas pranimit në arenën ndërkombëtare.