Por zyrtarët e federatave me qejf i kanë emëruar ligat e para si Superliga, në të dy konkurrencat.
Gati në të gjitha sportet, klubet nuk i japin pagat me rregull, shpesh edhe nuk japin fare. E edhe ato që i japin janë tepër të vogla, të krahasueshme me ato të kamerierëve. Por, parashtesa "super", është ajo që i barazon ligat kosovare me ato të rajonit dhe më gjerë, të paktën në letër, shkruan sot Koha Ditore.
Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani, thotë se në sportet kolektive të Kosovës janë shumë larg nga profesionalizmi, duke përfshirë këtu infrastrukturën, punën dhe rezultatet.
"Nuk kemi profesionalizëm në Kosovë, jemi shumë larg. Jemi pak mbi amatorizëm, por realisht jemi më afër amatorizmit sesa më larg tij, në bazë të punës e rezultateve", është shprehur Tovërlani. "Nëse mundem të them, prej të gjitha klubeve kolektive, në bazë të ardhurave që i marrin, vetëm Sigal Prishtina bën përjashtim.
Në ato që quhen Superliga, ndodh shpesh, gati çdo stinor që tërhiqen ekipet në gjysmë të garave apo edhe pa filluar ato.
Ka klube që me muaj të tërë nuk ua ndajnë pagat sportistëve.
Kjo është një prej arsyeve pse hendbollisti i mirënjohur kosovar, Alban Dobroshi, nuk po e vazhdon karrierën. Ai thotë se për 200-300 euro nuk vrapohet gjithë muajin.
Dobroshi është i gatshëm t’i bashkohet ndonjë skuadre, por jo pa ia plotësuar kushtet që kërkon.
"Gjendja aktuale është pothuajse e mjerë, pasi me një pagë mesatare prej 300 eurosh në muaj nuk mund të jetosh pa pasur edhe ndonjë punë tjetër. Në përgjithësi në klubet kolektive në Kosovë, ka vonesa të pagave, pasi vetëm dy apo tri ekipet e para i japin me rregull", thotë Dobroshi.