Site icon Telegrafi

“Qasja falas në informacionet publike, hap i rëndësishëm për lirinë e mediave”

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve (SPG) dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kanë përshëndetur vendimin e qeverisë për qasje falas të gazetarëve hulumtues në dokumentet e Regjistrit qendror dhe Agjencisë për Kadastër dhe Patundshmëri dhe e vlerësojnë si hap të rëndësishëm drejt procesit të përmirësimit të gjendjes dhe lirisë së medias në Maqedoni.

“Theksojmë se ky vendim, gazetarëve hulumtues do t’ua lehtësojë qasjen në informacione me ç’ka do ta rrisin transparencën, përgjegjësinë shoqërore për bartësit e funksioneve publike, por edhe personave juridik dhe do të ndikojnë në uljen e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të detyrave zyrtare”, thonë nga SPG, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërsa nga SHGM shtojnë se me këtë hap do të përmirësohet edhe informimi i qytetarëve.

“Ne gjithmonë kemi insistuar që gazetarëve t’iu mundësohet qasje të lirë deri në informatat me karakter publik me qëllim që të nxitet zhvillimi i gazetarisë hulumtuese e cila gjendet në margjinë të hapësirës mediatike”, theksoi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani

Lexo po ashtu Shërbime falas për gazetarët në Regjistrin Qendror dhe Agjencinë për Patundshmëri të RM

Ata shpresojnë se ky vendim njëkohësisht do të ndikojë në zhvillimin e gazetarisë hulumtuese, e cila sipas tyre, ka rol të rëndësishëm në sigurimin e informacioneve me interes publik./Telegrafi/

Exit mobile version