Dragana Trifkoviq, e njohur për aktivitetin e saj të spiunazhit, i është drejtuar Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Spiunia serbe e cila punon për llogari të Shërbimit rus të Sigurisë (FSB), ka mbajtur një fjalim në OKB lidhur me rreziqet e sigurisë ndërkombëtare.
Mirëpo, eksperti i sigurisë Agim Musliu adresimin e saj e ka quajtur si të turpshëm.
“Prej më shumë se 7 vjet flas për Dragana Trifkoviqin, bashkëpunëtoren e shërbimeve të inteligjencës ruse (distinktivi FSB). Sot ajo foli në mbledhjen e KS të OKB-së me temën ‘Kërcënimet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare’. Turp!”, ka shkruar Musliu në Twitter.
For more than 7 years I have been talking about Dragana Trifkovic, the collaborator of the #Russian intelligence services (#FSB badge). Today, she spoke at the #UN Security Council meeting on the topic "Threats to international peace and security". Shame! pic.twitter.com/D1UPlHykBx
— Agim Musliu (@agim_musliu) September 8, 2022
Trifkoviqit i është ndaluar hyrja në vendin tonë që nga viti 2016, ku Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka kategorizuar si agjente me ndikim e FSB-së, përmes një operacioni kibernetik, kur edhe pati nxjerrë publikisht fotografinë e saj me akreditiv të shërbimit rus.
Ajo ka qenë deputete e Kuvendit të Serbisë për të kaluar te partia ekstremiste “Dveri”.
Po ashtu, institucionet e sigurisë së Ukrainës dhe mediat e këtij vendi e kanë akuzuar Trifkoviqin se ka marrë pjesë si një vëzhguese e rrejshme e zgjedhjeve në Krimenë e okupuar nga rusët.