Telegrafi

Spiunë rusë në Mal të Zi, deputeti shqiptar Zenka: NATO na paralajmëroi para dy vjetëve

Mehmet Zenka, deputet shqiptar në Mal të Zi, thotë se arrestimi i spiunëve rusë në këtë vend ishte diçka e pritshme që duhet të kishte ndodhur edhe më herët.

Në një intervistë për Euronews Albania, ai u shpreh se sinjalet e para të spiunazhit rus kanë qenë me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ku shërbimet sekrete të NATO-s kanë paraqitur rrjedhje të informacionit nga partitë proserbe në pushtet.

“Para 2-3 vjetësh kemi pasur ndërhyrje nga shtetet europiane, konkretisht ato të NATO që e paralajmëruan Malin e Zi se do të spastrohen disa drejtues në shërbimin sekret pas dyshimi për rrjedhje të informacioneve përmes shërbimit sekret serb në atë rus”, tha deputeti.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme (MVJ) shpalli persona non grata gjashtë diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Mal të Zi.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur persona non grata gjashtë diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Mal të Zi, për shkak të veprimtarive që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, vlerësimit dhe respektit të ndërsjellë midis dyja vendeve”, njoftoi ministria në Twitter.

Ndryshe, kryeministri në largim, Dritan Abazoviq ka paralajmëruar aksione të reja kundër spiunazhit në Mal të Zi. /Telegrafi/