Telegrafi

Spitali i Gostivarit mori donacione në shtretër, mbulesa dhe sterilizatorë

Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit “Dr. Ferid Murad” sot mori tre donacione në të cilat ishin dhjetë shtretër moderne, sete me mbulesa dhe sterilizatorë me rreze UV. Menaxhmenti i spitalit në pranimin e pajisjeve paralajmëroi se ato do të vihen në përdorim shumë shpejt dhe se janë të mirëseardhura në këtë periudhë.

Drejtori Jakup Jakupi shprehu mirënjohje publike për donatorët të cilët, siç tha ai, e bënë këtë ditë, një ditë donacionesh.

“Kompania Magam Ing dhuron dhjetë shtretër modern me kontroll elektrik që na duheshin dhe do t’i përdorim shumë, duke përfshirë 950 litra lëng dezinfektues. Ne gjithashtu morëm një donacion të konsiderueshëm nga bashkëpunimi i organizatës humanitare “Dora” dhe ndërmarrjes Kiper. Ata dorëzuan sot treqind komplete me batanije, jastëkë dhe mbulesa dhe po aq peshqirë”, deklaroi Jakupi.

Drejtori i spitalit gjithashtu shprehu kënaqësi për dhurimin e Qendrës Ndërkombëtare për Paqe dhe Tolerancë, e cila, me ndërmjetësimin e profesorit Fadil Zendeli, ish-deputetë, siguroi një sterilizues UV. Kjo pajisje e ka aftësinë për të sterilizuar një dhomë prej 45 metrash katrorë në 15 minuta, dhe siç tha Jakupi, do të jetë shumë e dobishme në kushtet kur institucioni zbaton masa për mbrojtje nga virusi korona.