Me titull “Drejtorit të Spitalit në Gostivarit, nuk dihet a po i pengon anashkalimi i gjuhës shqipe në këtë spital ?!”, dje portali “Zhurnal”, publikoi informacionin që fliste për mosrespektimin e gjuhës shqipe në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad”, në Gostivar, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në lidhje me këtë, në një letër dërguar Telegrafit Maqedoni, Drejtoria e Spitalit të Gostivarit hedh poshtë akuzat për anashkalimin e gjuhës shqipe në këtë shtëpi shëndeti. Në këtë reagim, mes tjerash thuhet:
”Në çdo repart të Spitalit të Gostivarit, duke nisur nga mbishkrimet kryesore dhe deri tek vendimet, rekomandimet dhe çdo kumtesë tjetër që lëshohet nga Drejtoria e Spitalit, me plotë përgjegjësi morale sigurojmë se respektohet gjuha shqipe.
Për rastin konkret, ndonjë individ i papërgjegjshëm ka hequr mbishkrimin në gjuhën Shqipe dhe ka bërë fotografi me qëllim për të diskredituar Spitalin e Gostivarit.
Si rezultat i këtij veprimi që siç duket është bërë për motive politike, sot vetëm në para sportelit për kompjuter tomografi ka figuruar mbishkrimi vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse deri në momentet e fotografimit ka pasur mbishkrim edhe në gjuhën shqipe.
Redaksia e portalit “Zhurnal”, gëzon të drejtën e paraqitjes së denoncimeve qoftë edhe nga ana e qytetarëve (lexuesve), por ashtu siç e parashikon metodika e gazetarisë, është dashur që të merr mendim edhe nga Drejtoria e Spitalit të Gostivarit, pas çka, nuk do të vinte deri tek ky reagim i Spitalit të Gostivarit.
Ashtu siç u përmend edhe në informacionin e publikuar, gjuha shqipe është e rregulluar me ligj dhe Spitali i Gostivarit me përpikëri tenton ta zbaton në të gjitha format e mundshme.
Me shpresën që ky reagim do të publikohet, drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm “Ferid Murad”, në Gostivar, fton portalin “Zhurnal”, për bashkëpunim korrekt për të gjitha çështjet e hapura eventuale që mund të jenë në interes të opinionit Publik.”/Telegrafi/