Telegrafi

Spitali Amerikan shpëton fëmijën e plagosur nga “plumbi qorr”

Egzoni 14 vjeçar ishte operuar para një jave në QKUK, mirëpo operacioni kishte rezultuar pa sukses, pasi nuk ishte larguar plumbi nga trupi, por falë stafit të Spitalit Amerikan, ai të enjten është larguar me sukses.

Nuredin Makiqi, babai i Egzonit ka rrëfyer për “Kosovapress” ngjarjen që kishte ndodhur më 5 korrik, në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Ai ka treguar se djali i është plagosur me armë zjarri, porse nuk e din se nga kush, pasi që Policia ende nuk ka arrit ta identifikojë sulmuesin.

Edhe pse nuk kishte pasur sukses operacioni i bërë një jave më parë në QKUK, ai ka falënderuar ata për përpjekjet e bëra, pasi që, sipas tij, kanë bërë çmos që plumbi të nxirrej nga trupi i Egzonit. Ai po ashtu ka thënë se nga mjekët në QKUK-së është rekomanduar që shërimin e djalit ta kërkonte jashtë vendit, mirëpo fal vullnetit të Spitalit Amerikan, i cili pa asnjë kompensim ka kryer këtë operacion, djali i tij është në gjendje të mirë shëndetësore.

“U plagos më 5 korrik. Menjëherë e kanë marr e kanë dërgu në emergjencë në Vushtri, pastaj në QKUK. Janë kanë bërë disa fotografi dhe CT-në. Na kanë thënë me operu sepse do të ketë sukses. E kanë shtrirë në spital dhe e kanë operu po ma në fund nuk pat sukses. Më thanë mjekët në QKUK që duhet me dërgu jashtë Kosovës, sepse këtu nuk ka sukses. Ne nuk ditëm çka me bo, por deshti Zoti dhe na kontaktun prej Spitalit Amerikan, të cilët na thanë që po duan vetëm me pa njëherë. Por pasi që e kemi pru këtu kemi bisedu dhe më thanë që s’ki nevojë me dërgu jashtë. Dje e kam pru sot e kanë operu dhe i falënderojë shumë mjekët këtu sepse ka pas sukses dhe djali është mirë”, ka thënë ai.

Egzoni pas operacionit ndjehet më mirë. Ai ka treguar çastet kur u godit nga një plumb, e që në atë moment ishte duke luajtur me letra bashkë me shokët e tij dhe duke kullotur bagëtinë.

“Jam kanë duke lujt me letra ulur dhe duke i rujt lopët. I kemi dëgjuar dy krisma, por s’na ka shku mendja që janë plumba. Kam menduar që më ka godit ndonjë guri. Jemi zgjuar në këmbë dhe kemi shikuar mos është ndokush. Kam mëndu mos më ka hangër gjarpri, por tani e kam pa gjakun. Pastaj më kanë dërgu në spital. Tash pas operacionit jam mirë. Nuk kam dhimbje”, ka thënë ai.

Visar Nushi, mjek ortoped në Spitalin Amerikan në Prishtinë, i cili ka operuar Egzonin, ka bërë të ditur se gjendja e pacientit ka qenë e rëndë në aspektin lokal, ndërsa gjendja e përgjithshme ka qenë e ruajtur, mirëpo në regjionin ku ka qenë i plagosur ka pas dhimbje dhe kufizim të lëvizjeve. Operacionin që ka zgjatë përafërsisht një orë e gjysmë e ka quajtur të suksesshëm.

“Plumbi ka qenë në pjesën e pasme të kofshës, nën shpinë në anën e djathtë. Meqenëse plumbi ka qenë në një regjion mjaftë delikat ka qenë nyjës së kordhokurës dhe ka ekzistuar rreziku potencial që gjatë ecjes të dëmtohet nyja dhe në këtë rast do të ishte një dëmtim i pariparueshëm dhe në anën tjetër ka qenë hapur nervi kryesor që është i domosdoshëm për lëvizjen e këmbës dhe për shkak të shpejtësisë së plumbit ka qenë edhe i dëmtuar, por edhe plumbi edhe këto dëmtime me sukses janë kuruar”, ka thënë ai.

Egzoni do të qëndrojë i shtrirë në Spitalin Amerikan për rehabilitim pos operativ dhe se gjendja e tij është e mirë dhe stabile dhe i njëjti ka filluar edhe të ecë. Mjekët këtu sigurojnë se Egzoni do ta ketë një jetë normale dhe se nuk do të ketë asnjë pasojë afatgjate.

Sipas tyre, në Spitalin Amerikan që gjendet afër Graçanicës, mund të kryhen të gjitha llojet e operacioneve, pasi që posedojnë të gjitha aparaturat e duhura.

Ky operacion, në kushte normale kap koston e rreth 2 mijë eurove, mirëpo stafi i këtij spitali ka vendosur që të gjitha shërbimet për djaloshin 14 vjeçar që pësoi nga pakujdesia e dasmorëve, dy javë më parë, t’i kryejë pa asnjë kompensim. /Telegrafi/