Telegrafi

Spitali Amerikan dekorohet nga Presidenti i Republikës Z. Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani dekoroi Prof. Dr. Neyyir Tuncay Eren, mjek kardiokirurg, për kontribut mjaft të rëndësishëm duke realizuar ndërhyrjet më të vështira në zemër, si dhe për herë të parë është realizuar koronarografia dhe revaskularizimit i arterieve koronare në gjendje akute të infarktit të miokardit – e cila ishte një prej arritjeve te padiskutueshme të ekipit të kardiokirurgëve. Nga defektet e lindura në problemet e sistemit valvular; nga kirurgjitë e aortës tek bypasset; nga aorta ashendente në arteriet karotide e femorale, çdo kardiopati që prej 9 vitesh ka gjetur trajtim në duart e ekipit të talentuar të Spitalit Amerikan.

Presidenti Z. Nishani dekoroi Prof. Dr. Seyit Mehmet Sadik Ersoz, mjek i Spitalit Amerikan, ku ndërmori sfidën e rradhës në mjekësinë shqiptare – transplantin e Veshkave dhe të Mëlçisë, të realizuar për herë të parë në Shqipëri. Sot numërohen mbi 80 transplante të kryera me sukses nga ekipi ynë i kirurgëve dhe tre qendra hemodializë me një kapacitet prej 381 shtretërish duke e bërë kështu Spitalin Amerikan qendrën e vetme të fokusuar në trajtimin e pacientëve me insufiçiencë renale.

Spitali Amerikan mori përsipër t’u sillte pacientëve shqiptarë atë ç’ka ata meritonin, atë ç’ka shpesh kërkonin jashtë kufijve të Shqipërisë, atë që mjekësia shqiptare me gjithë talentin e përkushtimin e mjekëve, në mungesë të kushteve dhe teknologjisë nuk ua kishte ofruar.

Spitali Amerikan me investimin më të madh dhe të rëndësishëm, i Pari spital privat në Shqipëri me teknologjinë më të avancuar dhe me stafin mjekësor të specializuar, solli standardet më të larta të mjekësisë moderne për pacientët shqiptarë.

Sot, pas 9 vitesh, spitali numëron 300 000 mijë pacientë të cilëve mundohemi t’u dëgjojmë zërin dhe t’u njohim kërkesat një nga një.

Të jesh lider dhe të vendosësh standartet në rang kombëtar dhe jo vetëm, për Spitali Amerikan do të thotë të kesh zgjidhje për çdo kërkesë të çdo pacienti, t’u ofrosh atyre sistemin më efiçent dhe teknologjinë më të lartë në mbështetje të profesionalizmit të stafit. Do të thotë të jesh gjithmonë disa hapa para e të mos ndalesh asnjë ditë së përmirësuari dhe avancuari nëpërmjet punës kërkimore dhe edukimit./Telegrafi/