Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në intervistë me gazetaren Ilva Tare, tha se qeveria ka marrë masat për të menaxhuar pandeminë e Covid-19. Ajo u shpreh në Euronews Albania se qeveria nuk ka menduar të shkojë drejt skenarit të ri-mbylljes së ekonomisë.
“Të gjitha masat janë marrë që t’i paraprijmë një mbyllje, sepse nuk do donim të goditej ekonomia dhe jeta e zakonshme e njerëzve. Komiteti i Ekspertëve është në punë është hapur spitali Covid 4. Sa i takon vdekshmërisë dhe rasteve jemi në mesataren e ulët të rajonit dhe Evropës.Të vazhdojmë kështu të mos mbyllim ekonominë dhe jetën shoqërore. Kjo pandemi nuk përballohet vetëm nga qeveria, por edhe nga qytetarët”, tha ai.
Ministrja Spiropali foli gjithashtu në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike, e cila ka akuzuar qeverinë për fshehje të shifrave të Covid-19. Për këtë, znj. Spiropali theksoi se shifrat janë raportuar me përgjegjësi dhe transparencë të madhe.
“Nuk ka qeveri në botë, që mund të bëjë manipulim statistikash. Transparenca ka qenë maksimale për t’i thënë gjërat siç janë, sepse situata nuk është e lehtë”, tha ajo.
E pyetur mbi draft-opinionin paraprak të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor, ministrja Elisa Spiropali nuk zgjodhi ta komentojë, por u shpreh si vijon:
“Të gjithë palët kanë marrë një draft paraprak, për të cilat ne nuk komentoj, ndryshe nga kundërshtarët tanë, që përpiqem të mbrojmë kauzën e tyre të humbur. Në raport përfundimtar mund të diskutojmë për çështjet. Rekomandimet e Venecias janë shumë larg asaj që me dëshpërim mundohen ti thonë nëpër media. Ne e kemi vullnetin maksimal dhe i kemi pritur në tryezë me vite të tëra. Janë disa ndryshime në Kodet, që janë detyra rutinore dhe nuk mendoj se kanë vend për t’u diskutuar në foltoret partiake. Rekomandimet i kemi dhe do shkojmë përpara”, tha Spiropali.
Duke folur për ligjin anti-shpifje, znj. Spiroapli tha se kjo çështje është futur në kalendarin e punimeve në Kuvend, ndërsa paralajmëroi se ndryshimet do të reflektohen pas një konsultimi të gjerë.
“Është në kalendarin e Kuvendit, dhe sigurisht që do bëhen të gjitha konsultimet, në komisionin, shoqërinë civile dhe grupet e interesuara. Ajo që nuk ndryshon është të reagojmë xhunglën e mediave online, të cilat nuk kanë ende një rregullatorë për mënyrën se si duhet të funksionojnë. Ato bëjnë dëm të mëdha, sepse nuk e kuptojnë se ku fillon liria e tyre apo ku cenohet liria e tjetrit”, shtoi ajo./euronewsalbania.