Me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Tiranë Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Gjatë takimit mes Spiropali nënvizoi se, vizita në Tiranë e Gashit, e cila zhvillohet pak kohë pas vizitës në Shkup të Kryetares Spiropali, dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe intensiv mes dy Kuvendeve.
“Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt në rajon”, theksoi Spiropali.
Ajo nënvizoi se, “Shqipëria synon që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në 2030 dhe kjo datë është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm. Ky moment pozitiv për Shqipërinë duhet parë me pozitivitet nga i gjithë rajoni”.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces i bazuar në merita, zbatimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve të BE-së dhe jo nga faktorë a rrethana të tjera”, tha më tej Kryeparlamentarja.
Spiropali shtoi se, çështjet bilaterale mes vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së nuk duhet të bëhen pengesë në procesin e anëtarësimit.
“Shqipëria shpreson që Maqedonia e Veriut të zhvillojë sa më shpejt Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE sepse dy vendet tona janë një vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Spiropali u shpreh se, bashkëpunimi dypalësh në fushën e integrimit evropian është i rëndësishëm dhe krijimi i mekanizmave të përbashkët për shkëmbimin e informacionit e përvojave do të rrisë efikasitetin e reformave.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të angazhuara fuqimisht në nismat rajonale, si Procesi i Berlinit, i cili ndihmon në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike, sociale dhe politike”, tha Kryetarja e Kuvendit.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut jetik në qeverisje dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe kanë rol vendimtar në proceset euroatlantike dhe ruajtjen e orientimit të vendit drejt perëndimit dhe vlerave perëndimore, kaq shumë i rëndësishëm sidomos në kushtet aktuale të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë dhe më gjerë”, tha Spiropali.
“Respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ne inkurajojmë një klimë më të favorshme të bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve të bizneseve shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut’, u shpreh më tej Spiropali.
Gjithashtu, Spiropali u shpreh se, “Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor, është një projekt i madh strategjik, një mekanizëm zhvillimi, bashkëpunimi, integrimi dhe sigurie në rajon dhe më gjerë”.