Site icon Telegrafi

Spiropali: Ndërhyrja e NATO-s i riktheu dinjitetin e jetës në liri shqiptarëve në Kosovë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka rikujtuar 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Serbi pas gjenocidit në Kosovë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se, “25 vite më parë, avionët e NATO-s nga qielli nisën të parën luftë humanitare në Europën e pasluftës së Dytë Botërore për të shpëtuar qytetërimin nga agresioni i neofashizmit nacionalist të Milosheviçit dhe për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga masakra dhe gjenocidi shtetëror i Beogradit”.

Forca e NATO-s, vazhdon Spiropali, dhe vetëdija e komunitetit ndërkombëtar bashkuar me sakrificat e jashtëzakonshme të burrave dhe grave të UÇK-së i dhanë jetë kësaj beteje epike dhe shpëtuan ndërgjegjen e Perëndimit duke korrektuar Historinë dhe duke i rikthyer shqiptarëve dinjitetin e jetës në liri.

“Mirënjohje pafund e të përjetshme Aleancës EuroAtlantike dhe partnerit tonë strategjik, SHBA-së! Nderim përjetë heronjve dhe viktimave të luftës në Kosovë, që me gjakun e tyre shtruan udhën e lirisë. Ishte koha kur shqiptarët si komb takuan historinë! Ishte kohë kur historia nisi të shkruhet ndryshe dhe më mirë për shqiptarët”, shkruan Spiropali.

Exit mobile version