Telegrafi

Spin-offet, injorojnë AKP-në

Katër ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, Hoteli Grand, Miniera XIM Strezovci, Miniera e Goleshit dhe Fabrika e duhanit në Gjilan, nuk i janë përgjigjur dënimeve të aplikuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Së bashku ato u dënuan me 19.6 milionë euro, pasi nuk i kishin përmbushur zotimet për investime dhe punësim, shkruan Express.

Megjithëkëtë, këto ndërmarrje kanë injoruar afatin prej një muaji që ua kishte caktuar AKP-ja, për t’i paguar këto gjoba. Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi tha se për të paguar gjobat blerësve të ndërmarrjeve u është dhënë afat 30 ditë, që nga pranimi i vendimit për ndëshkime financiare.

“AKP-ja është duke bërë vazhdimisht vizita të rregullta në ndërmarrje për të përcjellë së afërmi gjendjen e tyre dhe konform përmbushjes apo mospërmbushjes, do të aplikohen edhe masat në bazë të marrëveshjes për zotime”, ka theksuar ai.

Ndryshe, dënimi ndaj këtyre kompanive pati ardhur pas vlerësimeve të auditorit të jashtëm dhe njësisë për monitorim të spin-offeve speciale, se këto kompani nuk i kanë përmbushur as për së afërmi zotimet në investime dhe numër të punësuarve. Gjithashtu, Bordi i AKP-së e kishte marrë këtë vendim, meqë ka konstatuar mospërmirësim të situatës në këto ndërmarrje. /Telegrafi/