Filmbërësi i famshëm, Steven Spielberg, do ta xhirojë ribërjen e mjuziklit “West Side Story”.
Ka kohë që fituesi i trefishtë i çmimit Oscar dëshiron ta xhirojë këtë film, ndërsa më në fund ka ardhur konfirmimi, duke qenë se është hapur konkursi për audicionet e aktorëve për rolet kryesore.
Exciting Harris/Kushner household news: Something's coming. Something good. (h/t @marciliroff) pic.twitter.com/IlCV4VnGt6
— Mark Harris (@MarkHarrisNYC) January 26, 2018
Është hera e parë në karrierën e Spielberg që xhiron një mjuzikël, ndërsa është fjala për ribërjen e njërit prej më të suksesshmëve në këtë zhanër.
Siç shkruan Daily Mail, skenari tashmë është në përgatitje e sipër dhe për të është angazhuar Tony Kushner, i cili ka punuar me regjisorin në filmat “Munchen” dhe “Lincoln”.
Kujtojmë që për skenarët e të dy këtyre filmave, skenaristi ka qenë i nominuar për çmimin Oscar.
“West Side Story” ishte realizuar në vitin 1961 me regji të Robert Wise dhe Jerome Robbins, ndërsa akoma konsiderohet si filmi mjuzikël më i mirë i të gjitha kohërave me 10 Oscarë të fituar.
Spielberg edhe këtë vit konkurron në Academy Awards me filmin “The Post”, i cili është në garë për filmin më të mirë, kurse Meryl Streep është nominuar për çmimin e aktores më të mirë.
71-vjeçari nuk e ka në plan të ndalet dhe nuk është duke treguar shenja të lodhjes, prandaj ka vendosur që të argëtohet në një zhanër, me të cilin deri më tani nuk e ka provuar veten në karrierën e tij prej gjysmë shekulli. /Telegrafi/